Kurti i kërkon komisioneres së BE-së për Zgjerim heqjen e masave ndaj Kosovës

Kryeministri Albin Kurti është takuar të mërkurën në Bruksel me Komisioneren e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, të cilën e ka njoftuar mbi detajet lidhur me sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin e “Ibër-Lepencit” në veri.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se Kurti e ka njoftuar Kosin për hetimet që janë duke vazhduar lidhur me këtë rast dhe se në mesin e gjërave të konfiskuara, janë gjetur armatim, municion, 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse e serbe.

Tutje bëhet e ditur se në këtë takim është diskutuar edhe për avancimin e procesit të integrimit të Kosovës në BE dhe për përparimet e arritura në agjendën e reformave evropiane, reformave institucionale në Kosovë, zhvillimit ekonomik, progresit demokratik dhe marrëdhënieve fqinjësore.

“Kryeministri u shpreh se Republika e Kosovës është shembull shumë i mirë që zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah. Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e Planit të Rritjes, i cili është instrumenti kryesor për rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. Me këtë rast, përmendi zbatimin e agjendës së reformave ERA II e cila deri në fund të vitit 2023 ka arritur shkallë zbatimi prej 72%”, thuhet në njoftim.

Teksa ka bërë thirrje për largimin e masave ndaj Kosovës, Kurti se ka thënë që përkushtimi i Kosovës në zbatimin e reformave evropiane dhe linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së meriton pranimin e pyetësorit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu