Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se nga sot e tutje, shtetasit e Kosovës në Gjermani nuk do të regjistrohen më si shtetas të Serbisë.
Në mbledhjen e qeverisë, kreu ekzekutiv bëri thirrje që bashkëatdhetarët tanë në Gjermani të i verifikojnë dhe nëse ka nevojë edhe korigjim të regjistrimit të shtetësisë.
“Të nderuar bashkëatdhetarë tanë në Gjermani, ju ftoj të verifikoni dhe korigjoni regjistrimin e shtetësisë në dokumentet e juaja. Më shumë detaje kontaktoni ambasadat në Berlin ose misionet konsulore në Frankfurt, Hamburg, Dusseldorf, Munih ose Shtutgard. Falenderojmë miqtë tanë gjerman për eliminimin e këtij problemi.
Vazhdojmë të punojmë së bashku për të siguruar respektimin dhe njohjen e të drejtave të qytetarëve tanë në botë.
Qeveria ka miratuar 2226 vendime në katër vjeçarin e qeverisjes sonë. Nëse i llogarisim 882 vendime, i bie 2 e gjysmë në ditë. Prej këtyre vendimeve, 319 kanë qenë miratime të projektligjeve dh ekemi dëshmuar një nivel të lartë qeverisjes”, ka deklaruar Kurti.
Tutje thuhet, se Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën nismën për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti, tha se përmes kësaj marrëveshjeje angazhohen në avancimin e bashkëpunimit me SHBA-në në fushën e mbrojtjes dhe ngritjen e kapaciteteve ushtarake.
Ndryshe, mbledhja e qeverisë ka filluar me dedikim për fotoreporterin Alban Bujari, i cili vdiq më 28 shkurt. Kryeministri Albin Kurti e kujtoi Bujarin me fjalë prekëse, duke theksuar kontributin dhe trashëgiminë e tij në historinë e Kosovës.
“Në mbledhjen e rregullt para kësaj ai ishte këtu, në mesin tuaj, prapa kamerave. Në ditë si këto, e vërejmë dhe e ndjejmë mungesën e Albanit. Trashëgimia e tij, kontributi i tij do ta mbajë gjallë gjithmonë. Ngushëllime familjarëve e miqve të tij. Pushoftë në paqe”, ka thënë Kurti.