Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nga viti 2025 do të ketë rritje të pagave në sektorin publik.
Ai ka deklaruar të martën para mediave se nga janari do të jetë një pjesë e rritjes së pagave, e nga korriku i 2025-s do të jetë pjesa e dytë e rritjes.
“Për vitin e ardhshëm kemi edhe një lajm të mirë për të gjithë punonjësit e sektorit publik…tani në vitin 2025 do të jetë viti i tretë që i rrisim pagat. Po rriten pagat secilin vit, në përputhje me atë që e parasheh Ligji për financat publike. Pra rritja e pagave duhet të jetë në linjë me rritjen ekonomike….Duke pas parasysh nevojën për të mbështetur më së shumti ata që kanë paga më të ulëta, ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar në rritjen buxhetore për pagat…Ta rrisim koeficientin për një njësi. Vlera e koeficioentit mbetet e njëjtë, por rriten njësitë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se ndonjë zyrtar publik që aktualisht e ka koeficientin e pagës 5.6, në janar do t’i bëhet 6.1 e në korrik 6.6.
“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik pagat do të rriten 55 euro nga janari dhe 110 euro nga korriku. Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritje do të jetë 120 milionë euro”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Ai ka thënë se në 2025-n pritet që të hyrat buxhetore të jenë 3.3 miliardë, duke thënë se krahasuar me vitin 2020, kjo është rritje për 90 për qind.
Sipas Kurtit, buxheti për shpenzime pritet të jetë 3.6 miliardë euro.
Sipas Kurtit, Kosova ka arritur që për katër vjet qeverisje, të rrisë brutoproduktin vendor dhe të tejkalojë shifrën prej 10 miliardë eurove, e në 2025-n ai tha se do të kalojë shifrën e 11 miliardë eurove.
“Po vazhdon trendi ku ekonomisë të Kosovës i shtohet një miliardë euro në vit”, ka shtuar ai.
Kurti ka deklaruar tutje se deri më tani janë shtuar mbi 75.000 vende të reja pune, të regjistruara në shifra zyrtare.
“Jemi munduar që paratë e buxhetit t’i kthejmë te qytetarët, me shërbime efikase publike dhe mbështetje për familje. Kjo është kthyer në rritje ekonomike dhe më shumë buxhet…Me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit pagat ashtu si e parasheh edhe ligji”, është shprehur ai.
“Nga janari parashihet rritja e pagave. Kësaj radhe kemi vendosur që buxheti i maksimalizuar për rritjen e pagave dhe atë buxhet që e kemi pasur kemi vendosur që ta shpërndajmë në vlerë absolute. Edhe po e ruajmë qëndrueshmërinë fiskale, por profesionistët që punojnë të përfitojnë më së shumti nga kjo rritje. Rritja bëhet në dy hapa…Fillimisht bëhet 55 euro kurse nga korriku për të rezultuar në një koeficient të plotë”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.