Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi sot një protestë para Burgut të Prizrenit, me moton “Drejtësi për Astritin”. Në këtë burg një javë më parë, në rrethana ende të pasqaruara, humbi jetën i paraburgosuri Astrit Dehari, njëherësh aktivist i Vetëvendosjes.
Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se kjo ditë jo vetëm që është pikëlluese, por më shumë se aq është zemëruese sepse, sipas tij, pushteti që ka kapur shtetin është përgjegjësi i vetëm për vdekjen e Astrit Deharit. Ai tha se drejtësia në Kosovë nuk është asgjë më shumë përveçse një vend i krimit.
“Astriti ishte i paraburgosur; pra, as dënim as aktakuzë. Është situatë tjetër kur vdes në burg një person i dënuar e në vuajtje të dënimit dhe është diçka krejtësisht ndryshe kur dikush vdes në paraburgim. Astriti, në paraburgim, jo vetëm moralisht e politikisht, por edhe ligjërisht ishte i pafajshëm”, tha Kurti, duke shtuar se ai ka vdekur nga një mjet i fortë, “që është tërësisht i jashtëzakonshëm për vetëvrasje”. Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe për 68 ditë kishte qëndruar i paraburgosur me akuzë për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës. /KP/