Kurti i tronditur nga sulmi në Londër

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i tronditur nga sulmi i djeshëm në Londër, shkruan Periskopi.

Përmes një publikimi në rrjetin social “Facebook”, Kurti u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, të plagosurve dhe qytetarëve britanikë, si dhe ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Conell.

“Jemi të gjithë të tronditur nga sulmi i djeshëm terrorist në Londër, sulmi i dytë brenda pak kohësh në Mbretërinë e Bashkuar. Ngushëllimet dhe solidariteti ynë shkon për familjarët e viktimave, për të plagosurit e për gjithë qytetarët britanikë, si dhe për institucionet e për ambasadorin O’Connell. Britania është partner i rëndësishëm historik e strategjik i Kosovës dhe i shqiptarëve, vend që na ka ndihmuar ushtarakisht e politikisht, si dhe vend ku jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh mërgimtarë. Ndaj në këto çaste të vështira është e rëndësishme t’i ofrojmë mbështetjen tonë, sado modeste”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Nga sulmi i djeshëm në Londër, deri më tani janë raportuar 6 viktima dhe mbi 40 të plagosur. Ndërsa, sulmi u cilësua si terrorist.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu