Për 7 muaj qeverisje, pushteti i ri inaguroi projekte infrastrukturore, të cilat kapin vlerën e investimeve rreth 220 milion euro. Meritat se kush i nisi dhe kush i përfundoi këto investime kapitale u bënë “mollë sherri” ndërmjet LSDM-së dhe VMRO-së.
Ky reagim i opozitës erdhi pasi kryeministri Hristijan Mickoski të premten për TV21 tha se nuk e ka problem të prej shiritat e inagurimit të projekteve, në të cilat lopatën e gurëthemeleve e ka hedhur ish-rivali i tij, Zoran Zaev. Ai tha se më mirë të realizohen projekte në të mirë të qytetarëve, se sa ndërtim të përmendoreve.
Në promovimin e segmentit të parë të hekurudhës Kumanovë-Beljakovce, si pjesë e Korridorit 8 që Maqedonia bëhet urë lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë, zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti tha se infrastruktura hekurudhore do të ndihmoj lëvizjen më të shpejtë të mallrave dhe qytetarëve.
Më 4 janar u hap autostrada Rankovcë-Kriva Pallankë, pjesë e Korridorit 8, në gjatësi 25.5 kilometra. Në këtë fillim vit, kryeministri Mickoski preu shiritin edhe për autostradën Gradsko-Drenovë. Ai theksoi se projektimi i pjesës deri në Prilep përmes Pletvarit vazhdon, ndërsa në të njëjtën kohë me ritëm të pandërprerë vazhdon edhe ndërtimi i autostradës nga Prilepi në Manastir, i cili pritet të hapet më 2027. Edhe ndërtimi i austostradës Kërçovë-Ohër është intensifikuar sipas tij, por akoma nuk dihet kur do të përfundojë, ashtu siç mbetet pezull edhe ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, i ndarë në dy segmente.