Kryetari i nderit i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferi u lind në Tetovë në vitin 1948.
Ai do të mbahet mend si një nga mendimtarët që lexoi drejt kalendarin në të cilën jetonte dhe atë kalendar e shënoi me veprimtarinë dhe mendimin e tij që zbërthente dhe u jepte kahë proceseve në mbarë shoqërinë shqiptare.
Pjesën më të madhe të jetës së vet Arbën Xhaferi e kaloi në Prishtinë, atje ku gjetën strehim shumë intelektualë shqiptarë nga Maqedonia gjatë sistemit socialist, njofton agjencia e lajmeve INA.
Xhaferi u kthye në Tetovë në vitet e hutesës së madhe politike që e jetonin shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm ata. Pra, ai u kthye në vendlindje në vitet e kundërshtive të mëdha brenda partisë më të madhe shqiptare, Partisë për Prosperitet Demokratik, e që do përfundonin me përçarjen e saj.
Dhe nga njëri krah i kësaj partie do formohej PDSH-ja e sotme, e cila do drejtohej nga Xhaferi deri në vitin 2007, kohë në të cilën ai ishte kryetar i saj i nderit.
Me kthimin në Maqedoni, në njëfarë mënyre, shqiptarëve, Xhaferi ua ktheu nderin e munguar të mendimit politik shqiptar. Ndaj edhe shumë shpjet u bë figura më e spikatur politike, e cila nga dita në ditë do merrte edhe përmasat e mendimtarit mbarëkombëtar.
Ai ia doli të kontribuojë për faktorizimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe ta përcaktojë vendin e tyre si faktor i rëndësishëm për mbarë shqiptarinë.
Duke vepruar në një Maqedoni ku përballë kishte arrogancën e politikës maqedonase, e pas vetes inferioritetin e politikës shqiptare, Xhaferi duhej të ecte drejt së ardhmes si ai që duhet të vinte baraspeshë mes ëndrrave iracionale maqedonase dhe ambicieve shumë tokësore të shqiptarëve.
Pra, ngaqë duhej të vepronte lokalisht, por duke menduar mbarëkombëtarisht, ai herë herë nuk u kuptua drejt as nga bashkëkombësit e vet në Maqedoni, e aq më pak nga maqedonasit etnike, të cilët në fillimet e veprimtarisë së tij politike, mendimin e tij e përjetonin si fatkeqësi natyrore që i ka ndodhur Maqedonisë.
Arbën Xhaferi mbase ishte nga politikanët e rrallë që ia doli nga e përkohshmja, politika, të bëjë shumëçka që atë do e bëjë të përjetshëm në botën shqiptare.
E ajo që atë do e bëjë të pavdekshëm, mbase nuk janë vendimmarrjet politike, të cilat gjithsesi nuk mungojnë, por mendësia e tij, e një filozofi që gjithmonë shihte më qartë e më larg se thuajse të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë.
Kuptohet edhe si i tillë, largpamës e me mendim të ndritur, ai nuk ka mundur ta parashikojë se do vdiste pasditen e kësaj të mërkure gushti, por gjithsesi se më qartë se cilido tjetër, i shihte rrugët e ardhmërisë ngado shkonte kjo shqiptari e copëtuar, të cilës mbase më së shumti i mungojnë njerëz vizionarë si Arbën Xhaferi.(INA)