Los Angeles Lakers ka filluar të futet në formën më të mirë, pasi ka marrë fitoren e tretë radhazi në NBA. Skuadra nga Kalifornia ka mposhtur para adhuruesve të vet San Antonio Spurs me 31 pikë diferencë, 123:92.
Ka qenë një dominim total i vendasve pasi në asnjë moment nuk u diskutua fitorja e tyre dhe fituan të gjitha çerekët (34:20, 32:28, 29:19, 28:25).
Si gjithmonë Anthony Davis ka qenë më meritori për fitoren e Lakers pasi pati një paraqitje spektakolare me 30 pikë, 18 kërcime, dy asistime, tre topa të vjedhur dhe një bllokadë.
Me lojë të mirë u dallua edhe Austin reaves që shtoi 21 pikë, derisa me pikë dyshifrore e mbyllën ndeshjen edhe Thomas Bryant (15), Lonnie Walker (14), Kendrick Nunn (13), Dennis Schroder (13), dhe Russell Westbrook që shtoi 10 pikë e 10 asistime.
Ndërkohë te mysafirët më efikasi ishte Devin Vassell me 17 pikë, por që nuk mjaftuan për të marrë fitore në Staples Center.