Me rastin e fillimit të vitit shkollor Lëvizja BESA të gjithë shkollarëve u uron një vit të mbarë dhe të suksesshëm, në veçanti të gjithë atyre fëmijëve që për herë të parë hapërojnë në ambientet shkollore. Ata njihen me një botë të re në të cilën do të fitojnë dije dhe njohuri të reja. Por, jo të gjithë fëmijët kanë të njëjtin fat që të mësojnë në kushte dhe rrethana bashkëkohore të mësimdhënies. Në këtë drejtim fëmijët që jetojnë në vendbanimet shqiptare, në të shumtën e rasteve, janë të diskriminuar dhe ballafaqohen me mungesë edhe të mjeteve dhe të kushteve më elementare.
Edhe pse kjo ditë duhej të jetë një ditë në të cilën do të mbretëronte lumturia dhe hareja e fillimit të vitit të ri shkollor, Lëvizja BESA do t’ju njoftojë me disa prej problemeve me të cilat ballafaqohen shkollat me mësim në gjuhën shqipe:
Si pasojë e politikës së keqe të përgjithshme shqiptare në Maqedoni, është bërë largimi i shqiptarëve nga trojet e tyre dhe me këtë është zvogëluar numri i nxënësve shqiptarë në shkollat shqipe.
Gjithkund ndjehet mungesa e çerdheve dhe kopshteve për mësimin parashkollor.
Në shumë shkolla, ndjehet mungesa e kushteve themelore, siç është uji i pijshëm dhe higjiena në klasa e hapësira shkollore.
Mungojnë mjetet e nevojshme mësimore për realizimin e mësimdhënies bashkëkohore.
Mungojnë hapësirat adekuate sportive ose nuk ka fare salla të edukatës fizike.
Shkollat gjenden larg dhe fëmijët kanë vështirësi për të udhëtuar dhe për të arritur deri te shkolla, sidomos gjatë dimrit.
Edhe në shkollat ku shumica e nxënësve janë shqiptarë kemi mospërfaqësim adekuat të kuadrit mësimdhënës, shërbimit profesional dhe udhëheqësisë së shkollave.
Paralelet me mësim në gjuhën shqipe janë të mbingarkuara me nxënës me mbi 34 nxënës, ndërsa paralele me mësim në gjuhën maqedonase gjen edhe me nga 9 deri 19 nxënës).
Objekte shkollore janë të vjetra dhe inventari shkollor i stërvjetëruar.
Problem është edhe realizimi i mësimit në klasë të kombinuara, kjo si pasojë e numrit të vogël të nxënësve.
Te nxënësit shqiptarë mësimin e gjuhës angleze e realizojmë mësimdhënës maqedonas.
Nuk kanë mundësi të gjithë nxënësit ta ndjekin arsimimin e mesëm profesional.
Kemi politizim dhe partizim të skajshëm të shkollave dhe ndikim të politikës në përzgjedhjen e kuadrit mësimdhënës.
Shkollat vuajnë për mungesë të teksteve të mira shkollore dhe lektyrave shkollore.
Që ta keni më të qartë gjendjen e arsimit shqip, kemi bërë një pasqyrim të shkurtër të kësaj gjendje nëpër komunat me shumicë shqiptare, që do jua dorëzojmë bashkë me këtë reagim, në të cilin i kemi marrë në konsideratë vetëm problemet më të mëdha, që e pengojnë zhvillimin e mësimit, sepse problemi i arsimit shqip është shumë më substancial se kaq. Mjafton të shihen tekstet shkollore, që të shihet se cili është identiteti i arsimit shqip në Maqedoni. Ndërkaq gjithë kjo gjendje ka ardhur edhe përkundër faktit se partia shqiptare në pushtet për disa herë me radhë e ka drejtuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Kjo listë e gjatë e mangësive dhe të metave në shkollat shqipe neve si Lëvizje BESA aspak nuk na bën të ndjehemi mirë, por do të shërbejë si pikënisje drejt qëllimit për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe për ta bërë shkollën një vend të dashur për fëmijët dhe një qendër që do të rrezatojë dije për çdo fëmijë.
Lëvizja BESA vlerëson se për të pasur një shoqëri të shëndoshë duhet të ketë një shkollim të shëndoshë, andaj do të punojë me përkushtim në arritjen dhe plotësimin e këtij synimi.