Lëvizja Besa e Afrim Gashit ka dalë në mbështetje të protestave për rastin Almir Aliut, gjegjësisht kundër rikualifikimit të rastit si aksident trafiku, njofton InfoShqip.com
“Duke ndjekur me vëmendje procesin gjyqësor kundër vrasësit të djaloshit Almir Aliu nga Kumanova, Lëvizja BESA konstaton se ky rast është një test për drejtësinë në kushtet e reja në Maqedoni. Nëse edhe kjo drejtësi vepron me dy standarde dhe për shqiptarët vazhdon të mbetet njerkë, atëherë i bie të konkludojmë se beteja jonë për shtet të së drejtës dhe kundër regjimit paska qenë e kotë.
Nisur nga kjo, Lëvizja BESA e mbështet protestën qytetare që do të mbahet ditën e premte (2 mars) dhe u bën thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë që ta mbështesin këtë protestë dhe të dëshmojnë se në cilën anë janë në kohën kur gatuhet vrasja e dytë për Almir Aliun.”– theksohet në reagimin e Afrim Gashit.