“Lëvizja Besa” jep donacion 400 euro (për bileta) për 1 votë mërgimtari?!

Çmimi i biletës përmes linjës rrugore me autobus nga Maqedonia drejt Gjermanisë, aktualisht rrotullohet nga 150 deri 200 euro, varësisht nga ofertat e Agjencive Turistike dhe për cilat qytete të Gjermanisë bëhet fjalë. Ky çmim vlen vetëm për një drejtim. Çmimi për biletë anasjelltas, rrotullohet nga 250 deri 350 euro, njofton Agjencia e Lajmeve Flaka duke u bazuar në ofertat e Agjencive Turistike të Maqedonisë.

Por udhëtim falas për mërgimtarët nga Maqedonia, me qëllim për t’i sjell në vendlindje për të votuar, ofron Lëvizje Besa. Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, respektivisht në faqen e këtij subjekti politik “Lëvizja Besa – Gjermani”, ftohet mërgimtarët të udhëtojnë në vendlindje më datë 7 Dhjetor, kurse kthimi bëhet më 14 Dhjetor.

Në njoftim thuhet se udhëtimi është falas. Kjo dukuri e joshjes së votuesve nga sociologët komentohet si fenomen që ndiqet në disa cikle zgjedhore dhe flet për një dukuri devijante gjegjësisht patologjike që shfrytëzohet nga subjekte të caktuara politike për të rekrutuar qytetarë të cilët do të votojnë për ata.

Televizioni Shenja, sot trajtoi fenomenin e blerjes së votave.

“Çështja e tregtimit gjegjësisht komercializimit të votave të qytetarëve të Maqedonisë është një dukuri dhe një fenomen që ndiqet në disa cikle zgjedhore dhe flet për një dukuri devijante gjegjësisht patologjike që shfrytëzohet nga subjekte të caktuara politike për të rekrutuar qytetarë të cilët do të votojnë për ata, vlerëson sociologu Ali Pajaziti. Ai thotë se subjekte të caktuara politike veprojnë në këtë mënyrë për qëllime pragmatiste duke shfrytëzuar momentin ekonomik të qytetarëve dhe duke e targetuar këtë kategori. Sipas tij, veprime të tilla të subjekteve politike bien ndesh me kodin etik dhe me vlerat njerëzore”, transmeton Shenja.

“Sepse, objektivisht një subjekt politik i cili gjallëron, mbijeton apo fiton, ngadhënjen me votat të cilat janë të blera ose të vjedhura ai ka legjitimitet të rremë, ose pseudolegjitimitet. Në esencë, vota duhet të jetë e lirë, e bazuar në bindje të individit, pra ai me gjithë mend, me gjithë zemër dhe shpirt të aderoj ose të vendos se kujt do t’ia jap votën në bazë të veprimeve, aksioneve dhe të mirës publike që e ofron një subjekt i caktuar politik”, deklaroi sociologu Ali Pajaziti për TV SHENJA.

Pajaziti më tej ka sqaruar për Televizionin Shenja se qytetarët  nuk janë të vetëdijshëm lidhur me vlerën që ka vota, nuk janë të vetëdijshëm për shenjtërinë e zërit të tyre dhe të votës që ata e japin, sepse përmes votës ata përzgjedhin dhe determinojnë të tashmen dhe ardhmërinë e vet.

“Duke e shitur votën ata faktikisht e shesin të ardhmen e tyre, e kontrabandojnë të ardhmen e tyre, kontrabandojnë faktikisht integritetin e tyre si njerëz, si qytetar, pra si individ i cili duhet të ketë atë unin e vet dhe duhet që të bëjë peshimin e drejtë të të mirave të cilat i ofron një subjekt politik. Shtija e votës është një problem kulturor, është një problem mendësie të cilin neve duhet ta tejkalojmë dhe në këtë aspekt edhe subjektet politike duhet që të jenë më të vetëdijshme, të veprojnë në mënyrë pak më të moralshme dhe ti marrin vetëm ato vota të cilat realisht i meritojnë e jo vota të cilat ata i përfitojnë në mënyra jolegale, përmes presioneve, trysnive ose përmes parasë ose lekut”, tha më tej sociologu Pajaziti.

Ndryshimet e reja në Kodin Penal parashikojnë dënim me së paku 5 vite burg e më shumë për atë që do ta shes votën e tij. I njëjti dënim vlen edhe për atë që do ta blejë votën e qytetarit. Dënimi prej të paktën 5 viteve burg parashikohet jo vetëm në rastet kur merren paratë, por edhe në ato raste kur premtohet ose dakordohet shitja e votës dhe ende pa marrë shpërblimin e fituar./flaka


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu