Pas njoftimit zyrtar se Lëvizja BESA do ta drejtojë ministrinë e Kulturës në qeverinë e Republikës së Maqedonisë, siç njoftojnë nga kjo parti, ditëve të fundit janë shpeshtuar reagimet e disa personaliteteve të jetës publike dhe organizatave joqeveritare, që e kundërshtojnë këtë vendim me arsyetime të ndryshme.
Nga Lëvizja Besa, përmes një konference për shtyp njoftuan se nuk ka vend për panik.
“Duke e respektuar qëndrimin e tyre, si dhe duke shfaqur gatishmëri për të bashkëbiseduar dhe komunikuar me të gjithë ata se me çka rrezikohet kultura në Maqedoni nëse atë e drejton Lëvizja BESA, pa dashur të paragjykojmë për motivet dhe prapavijën e nxitjeve, dëshirojmë të shpjegojmë se nëse ndonjë parti shqiptare në Maqedoni ka merituar të jetë pjesë e kësaj qeverie, kjo është Lëvizja BESA. OJQ-të e tilla duhet t’i mbajnë mend, sepse nuk kanë qenë moti, se shqiptarët e vetëm në protestat e organizuara gjatë vitit 2015 dhe më vonë nëpër rrugët e Shkupit ishin pikërisht eksponentët e lartë të Lëvizjes BESA, madje vet kryetari aktual, Afrim Gashi. Nëse dikujt nuk i kujtohet, mjafton t’i shfletojë fotografitë e atyre pamjeve. Përveç kësaj, para pak ditësh vet Kryeministri e tha se regjimi i kaluar, në luftën për eliminimin e forcave opozitare, përveç LSDM-së, e kishte edhe Lëvizjen BESA.
Prandaj, ne jemi të bindur se nuk ka nevojë për kurrfarë paniku, sepse ata ose nuk janë mirë të informuar për BESËN ose informacionet që i kanë janë sajesa të kundërshtarëve tanë politikë, që ia kanë dalë për mrekulli ta bëjnë demonizimin e Lëvizjes BESA në sy të tyre.” -thuhet ndër tjerash në reagimin e Lëvizjes Besa./ InfoShqip.com