Liderët politikë vendosin përfundimisht për datën e zgjedhjeve

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni do të varet nga takimi i liderëve të partive politike, i caktuar për datën 31 gusht. Qëndrimet e deritanishme të partive kryesore politike janë pozitive sa i përket përmbushjes së kritereve që duhet të zbatohet deri në fund të muajit, por janë të përmbajtura nëse përfundimisht do të ketë ose zgjedhje në dhjetor, ashtu siç është paralajmëruar nga katër partitë nënshkruese të marrëveshjes, VMRO DPMNE, Lidhja Social-demokrate (LSDM), Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).

Zyrtarë të VMRO DPMNE, që drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, thonë se mbeten të përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe se caktimi i datës së zgjedhjeve i mbetet opozitës.

“Mendoj se kemi marrëveshje politike. Kjo marrëveshje mbetet gjallë dhe si e tillë paraqet mënyrën e vetme për kapërcimin e krizës politike, që nënkupton, organizimin e zgjedhjeve në përputhje me kushtet e përcaktuara nga marrëveshja politike.”

“Koalicioni qeveritar i udhëhequr nga VMRO DPMNE ka qëndrim të qartë për marrëveshjen politike, por zbatimi i saj varet nga LSDM-ja. Pra, qëndrimi jonë është se partia më e madhe e opozitës ka mundësi, privilegj dhe luksin që të zgjedh momentin se kur dëshiron të përballet në zgjedhje demokratike”, ka deklaruar Nikolla Poposki, anëtar i komitetit ekzekutiv të VMRO-së dhe pjesëmarrës i kësaj partie në negociata politike.

Por, LSDM në opozitë nuk fsheh entuziazmin me zbatimin e pikave të marrëveshjes, në veçanti me pastrimin e listës zgjedhore, duke pretenduar se janë realizuar pohimet e tyre, se lista zgjedhore nuk ka më shumë se 1.5 milionë votues.

“Për atë se a janë krijuar kushtet ose jo do të vlerësojnë liderët e partive atëherë kur do të mbahet takimi. Ende është herët të japim vlerësime. Ne konsiderojmë se zgjedhje mund të kishte edhe shumë më herët sikur të pastrohej lista zgjedhore, të reformoheshin mediet si dhe të plotësoheshin kushtet tjera që garantojnë zgjedhje të lira dhe demokratike”, thotë Damjan Mançevski, nënkryetar i LSDM-së.

Sa i përket medieve, partitë janë marrë vesh që puna e tyre të monitorohet nga një komision ‘ad-hoc’ pesë anëtarësh, ndërsa kanë përcaktuar edhe afatet e zgjedhjes së qeverisë kalimtare me pjesëmarrjen edhe të LSDM-së opozitare.

Gjithashtu është vendosur edhe për kompetencat e Ministrit të Punëve të Brendshme, që duhet të jetë nga radhët e LSDM-së. Ndryshimet e reja që kufizojnë kompetencat e ministrit do të hyjnë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm. Partitë kanë miratuar edhe ndryshime tjera ligjore bazuar në marrëveshjen politike, të arritur me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtar.

Partitë politike shqiptare, BDI dhe PDSH nuk komentojnë pozicionin e tyre lidhur me zbatimin e pikave të marrëveshjes, duke theksuar se pozicionet e tyre do të shpalosen në takimin e liderëve.

Partitë jashtëparlamentare shqiptare, ndërkohë, kanë kritikuar lënien jashtë listës zgjedhore të rreth 30 mijë shtetasve, duke theksuar se pjesa dërrmuese e tyre janë shqiptarë dhe me orientim opozitar. Nga lëvizja BESA kanë thënë se do të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat politik për të rikthyer edhe votuesin e fundit që ka të drejtë vote në listën e votuesve, pasi sipas këtij subjekti politik, “pa zgjedhje të drejta, të lira dhe korrekte, Maqedonia nuk ka ardhmëri”. (REL)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu