Liqeni i Ohrit po shteret

Katastrofa me të cilën përballet Liqeni i Ohrit këto ditë është një nga temat kryesore në mediat e Shqipërisë, shkruan gazeta KOHA . Televizioni SOT7 së fundmi ka publikuar video në të cilën shihet bregu i Liqenit në anën shqiptare, ku shihet qartë se niveli i ujit ka rënë ndjeshëm. Në zonat më të ulëta të brigjeve, në shtrirjen e plazhit të qytetit në Pogradec e deri në Tushemishtë, uji është tërhequr për rreth 40 metra, me një thellësi prej rreth 1,5 metra. Ekologët e kanë ndezur alarmin për fotografitë e tmerrshme në Pogradec.

Ata thonë se nëse nuk ndërmerret urgjentisht diçka për ndalimin e eksploatimit rë resurseve natyrore, Liqenit të Ohrit i kanoset një katastrofë e madhe ekologjike. Arian Meroli, ekspert për ambientin jetësor nga Pogradeci, potencon se moskujdesje ka pasur edhe më parë, por asnjëherë në përmasa të këtilla. Sipas tij, fajtor kryesor është ELEM, të cilët gjatë vitit të kaluar në mënyrë të paarsyeshme i kanë shfrytëzuar rrjedhat e ujit të Liqenit të Ohrit për prodhimin e rrymës. Meroli apelon për arsyeshmëri të institucioneve dhe kërkoi marrëveshje të re dypalëshe mes Shqipërisë dhe Maqedonisë për mbrojtjen e liqenit.

Pogradeci jeton nga turizmi dhe kjo do të ishte goditja e parë përderisa nuk kompensohen dëmet. Ndërsa banorët thonë se kjo çfarë i ndodhë liqenit është vetëm reagim i asaj që me vite po e bëjnë organet qeveritare. Arian Meroli, eksperti i mjedisit jetësor nga Pogradeci dhe ish-përfaqësues i Shqipërisë në komitetin e përbashkët bilateral për mbrojtjen e liqenit të Ohrit, thotë se niveli i ujit disa javë është nën lartësinë minimale, më saktë 23 centimetra nën kufirin e paraparë nga UNESKO. Për këtë situatë ai thotë se përgjegjësi kanë autoritetet e Maqedonisë, sepse rruga e vetme përmes së cilës derdhet uji nga Liqeni i Ohrit është përmes lumit Drini i Zi.

“I njëjti fenomen është vërejtur nga pala shqiptare dhe maqedonase. Autoritetet përgjegjëse të Maqedonisë theksojnë se arsyet kryesore për situatën momentale me liqenin është prodhimi i energjisë elektrike nga ana e ELEM-it, e cila menaxhon me digat për derdhje dhe ndalim të ujit nga Liqeni i Ohrit. Për fat të keq, gjatë janarit, mediat raportuan se ka pasur defekt të madh në njërën nga termocentralet më të mëdha në Maqedoni, i cili është prodhues kryesor i energjisë elektrike. Mendimi im është se kjo ka qenë arsyeja kryesore përse ELEM vendosi që këtë mungesë të prodhimit të energjisë elektrike ta kompensojë me shfrytëzimin e ujërave të Liqenit. Kjo nga ana tjetër është në kundërshtim me të gjitha rregullat ndërkombëtare, me statusin e Liqenit të Ohrit, por çka është më me rëndësi, është edhe në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet që ka nënshkruar Maqedonia”, tha Meroli për SOT 7.

Gjendja nuk është më mirë as në anën e Maqedonisë. Organizata joqeveritare “Ohrid SOS” para tre ditëve ka shpërndarë fotografi shqetësuese nga Liqeni i Ohrit, ku shihet se uji është tërhequr më shumë se dhjetë metra nga bregu dhe ka shenja të ndotjes nga lëndë djegëse. Bregu i Liqenit të Ohrit duket shumë i ndotur, sidomos në zonat ku për shkak të cektësisë, uji është më i tërhequr. Banorët e Ohrit alarmojnë se Liqeni është tërhequr mbi 10 metra nga bregu, te ura, ndërsa 20 metra në Lubanishtë, ku uji është edhe më i cekët./Koha/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu