Nuk është shfuqizuar Balancuesi por përfaqësimi i drejtë sipas përkatësisë etnike, pohon ish ministri i drejtësisë, nga ASH, Krenar Lloga. Në Daily Click të TV21, duke komentuar vendimin e Kushtetueses, ai theksoi se është hapur rruga që në të ardhmen çdo ligj në të cilin do të theksohet përkatësia etnike, përsëri të shfuqizohet.
Sipas Llogës, opinioni manipulohet me pohimin se është shfuqizuar balancuesi e jo përkatësia etnike, ndërsa përfaqësuesit e koalicionit qeveritar pohojnë se përfaqësimi i drejtë mbetet dhe do të jetë kategori kushtetuese. Megjithatë nuk dihet nëse zgjidhja e re ligjore do ta përmbajë formulimin “përkatësi etnike”. Kryeministri Mickoski, përkundër ministrit Goran Minçev nga ZNAM, tha se ka grup pune që punon në tekstin e Ligjit për përfaqësim të drejtë.
Mickoski përsëriti se ligji i ri do t’i dërgohet komisionit të Venecias. Nismën për Ligj të ri e ngriti koalicioni VLEN, që e ka shtyrë debatin publik për tekstin e tyre, duke pritur zgjidhjen përfundimtare të grupit të punës.