Lloga: Ndryshimet në gjyqësor i kërkon BE-ja dhe jo Krenar Lloga, Mickoski e ka patjetër t’i zbatojë

Në kohën kur VMRO ende pa formuar Qeverinë, po paralajmëron shfuqizim të Këshillit Gjyqsor dhe Këshillit të Prokurorëve, Ministria e Drejtësisë po përgatit draft ligjet e reja, sa i përket siç thonë, risive që do kenë këto dy institucione.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski dhe ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, tashmë e kanë bërë të qartë se nuk ndajnë të njejtin mendim rreth këtyre dy trupave të rëndësishëm të ndarjes së drejtësisë, duke bërë polemika publike.

Në një intervistë për TV Shenja, ministri Krenar Lloga thotë se kjo zgjidhje ligjore është bashkëdakorduar me faktorin ndërkombëtarë, sepse janë tre dokumente strategjike të cilat janë vulosur me BE-në, prandaj mendon se këto ligje që përgatit Ministria e Drejtësisë, do të kalojnë në Kuvend.

Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë

“Këto që i kam folur unë këto ditë, nuk kanë të bëjnë me ministrin si institucion apo si detyrë, në këtë rast si Krenar Lloga, por në këtë rast kanë të bëjnë me punën që është bërë nga grupi I ekspertëve i ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe i cili ka dalë me ato propozime që ju dje dhe gjithë opinioni i gjerë i ka dëgjuar ose i ka parë”.

Sipas ministrit Lloga, Mickoski po manipulon me fjalët, ai rikujton qëndrimin që ka pasur para një viti për ndërprerje të mandatit të antarëve të Këshillit Gjyqsor, kur nuk ka gjetur mbështetje as nga partnerët e koalicionit, por as nga VMRO.

Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë

“Unë fiks para një viti kam dalë me idenë se duhet të ndërpritet mandati i antarëve të Këshillit Gjyqsor dhe në fakt as partnerët e koalicionit nuk dhanë mbështetje për këtë lloj qasje, por në atë kohë me të gjithë votat e ASH-së, 8 vota mund të arrinim që edhe me VMRO-DPMNE-në t’i kalonim këto ndryshime kushtetuese, por edhe VMRO atëherë u tërhoq. Tani që e kanë forcën e numrave kërkojnë që me një të rënë lapsit të zgjedhin të gjithë këto njerëz që të mund t’i kontrollojnë”.

Në një njoftim dërguar mediave, Ministria e Drejtësisë tregoi se grupi punues pranë Ministrisë i ka detektuar dobësitë e Ligjit aktual të prokurorinë publike. Pjesa më e madhe e tyre, siç qëndron në njoftim, i referohen procedurës disiplinore, shkarkimit të prokurorëve publikë, krijimit të rrjetit të prokurorisë publike, kompetencave, por edhe kuptimit të parimeve të hierarkisë dhe subordinimit. Para dy ditë, të njoftim të ngjajshëm kishte edhe për Këshillin Gjyqsor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu