Nga disa portale bëhet e ditur se lideri i LSDM-së, Zoran Zaevi, sot në selinë e Lëvizjes BESA në Shkup ka realizuar një takim me përfaqësuesit e kësaj partie. Ky takim ndodhë në kohën kur bëhen edhe kombinatorikat konkrete për formimin e qeverisë së re, mirëpo ajo që është risi në këtë rast është fakti se asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që lideri i ndonjë partie politike maqedonase të shkojë në zyrat e ndonjë partie shqiptare për këso takime. Praktikë e njohur në Maqedoni ka qenë që drejtori i shërbimit sekret t’i zhvillojë bisedimet për formimin e qeverisë, e jo bisedime të tilla të bëhen nëpër zyrat e partive shqiptare. Sa i përket praktikës së deritanishme, këto ditë në opinion qarkulluan zëra se ish drejtori i shërbimit sekret, Sasho Mijallkovi në Restorant Marakana ka realizuar takime ndaras me Musa Xhaferin dhe me Beqir Hasanin. Ky fakt edhe më tepër e fuqizon bindjen se LSDM-ja është duke e lutur Lëvizjen BESA që të bëhet pjesë e qeverisë edhe pse kjo e fundit disa herë publikisht e ka shprehur qëndrimin se janë përcaktuar për të qëndruar në opozitë.