LSDM-ja e cilëson si skandaloze ndërprerjen e projekteve infrastrukturore të nisura nga paraardhësi i saj Petre Shilegov. Nga kjo parti nuk mohojnë kontestet juridiko pronësore me të cilat Arsovska arsyetoi ndërprerjen e projekteve por shtojnë se ajo mori mandatin për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve.
“Mandati që Arsovska mori në zgjedhjet e fundit lokale, është mandat për zgjidhjen e të gjitha problemeve të hapura. Këto çështje kanë rrjedhur nga krijimi i politikave për realizimin e projekteve të caktuara. Jemi në dispozicion të saj për zgjidhjen e atyre kontesteve juridiko-pronësore edhe për tek ura “ Ljublanska” edhe për atë tek Asnom, që të njëjtat të realizohen”, tha Goran Shutarov- këshilltarë i LSDM-së.
Por, Arsovska pak ditë më parë nuk dha shumë shpresa se do të vazhdojë me realizimin e projekteve të tilla apo se do të bëjë finalizimin e tyre. Sipas saj, ura tek lagja “Qeramidhja” apo siç i referohen nga LSDM-ja ura tek ASNOM, mund të shërbejë vetëm për të peshkuar, sepse atje, sipas saj, ka 11 konteste pronësore dhe 25 lëndë në përgatitje.
“Dikush ka projektuar, ka hapur një gropë atje, ka hedhur një lopate është fotografuar edhe çfarë tutje? Atje ka çështje juridiko pronësore të cilat nuk janë zgjidhur. Atje ka 70 parcela për të cilat duhet të gjendet zgjidhje. Nuk është problemi të ura, ura në Vardar do të vendoset. Nga asnjëra anë ku duhet të bëhen lidhjet nuk ka përfunduar, madje as nuk ka filluar procedura. Ka vetëm një vlerësim për çmimin nëse ato prona atje shpronësohen. Ne para të shohim këto çështjet pronësore, atje ka ndërtesa, madje ndërtesa të reja. Kush është ai që ka thënë se atje do të shkojë të bëjë këtë projekt, kjo nuk është në rregull”, deklaroi Danela Arsovska- kryetare e Qytetit të Shkupit.
Me probleme të shumta pronësore Arsovska arsyetoi edhe ndërprerjen e tenderit për zgjerimin e bulevardit “Nikolla Karev”.