Shkruan: Artan Shkreli
“Rigllata” ose “Lumi i Tiranës”
Para disa ditësh, në një takim me studentët e arkitekturës të Universitetit Shtetëror, mësova prej tyre se nuk e dinin emrin e Lumit të Tiranës.
Në fakt nuk mund të fajësohen për këtë as ata e as pedagoget e tyre, që siç duket po ashtu nuk e njihnin emrin tradicional; kjo pasi në të gjitha hartat e mbasluftës ky lum shënohet si “Lumi i Tiranes”.
Duke patur parasysh se emrat e lumejve, sipas gjuhëtarëve, janë toponimet më të qëndrueshme të një territori, madje edhe më të qëndrueshme se malet e se emrat e qyteteve, ato shprehin më saktë se cdo gjë tjetër vjetërsinë e vendit dhe të popullit që ka jetuar aty pari. Vetëm një gjindje e re në një territor fillon e i quan toponimet me emra të rinj ose të asociuar me një toponim tjeter aty pranë. Praktika dëfton se lumejtë përgjithësisht nuk marrin emrat e qyteteve pranë të cilëve kalojnë, por shpesh ndodh e kundërta, pra jo vetëm qytete, por edhe krahina të tëra marrin emrat e lumejve të rëndësishëm aty pranë.
Mu për këtëe është shumë e rëndësishme jo vetëm të mësohet emri i lumit të Kryeqytetit (ku përfundon edhe Lana jonë), por edhe të përdoret rëndom në praktikën e përgjithëshme hartografike dhe sinjalizuese.
Nga sa duket emri i lumit “të Tiranës” është i vjetër, të paktën që nga Mesjeta, dhe është përdorur vijimisht deri në mesin e shek XX, për tu zbehur nën turbullirën e valës së madhe ardhëse të njerëzve në Tiranë, të cilët ne tre valë të njëpasnjëshme demografike (pasvitet ’20, pasvitet ’40 e pasvitet ’90) e 50-fishuan popullsinë e qytetit brenda trecerek shekulli.
Kështu, po shënoj këtu tre momente kyce të përshfaqjes së emrit në histori:
– Marinus Barletius, që quan në latinisht sipas transkriptimit të fundit të Katërqindës: “Argilata”;
– At Coronelli, në fundin e Gjashtëqindës (1688), si në hartën e bashkangjitur: “Reghiellata”;
– Shqiptarët e brezit para nesh (perfshire tim atë që nuk jeton më): “Rigllata”.
Vihet re se në hartën e Coronellit ka një ndërkëmbim të gabuar të emërtimit të degës së Ishmit (Hismo Flu.) me atë të Rigllates. Në fakt do duhej të ishte e kundërta. Ky toponim huazohet dhe në hartat e De l’Issle (aty nga 1740-a) por në formën e deformuar “Reghiellara”.