Makina më e shtrenjtë në botë: Një Mercedes-Benz i rrallë shitet për 135 milionë euro në ankand

Një Mercedes-Benz jashtëzakonisht i rrallë dhe i vjetër u shit për një çmim rekord prej 135 milionë euro në një ankand, duke u bërë makina më e shtrenjtë në botë.

Siç ka bërë të ditur kompania ndërkombëtare e ankandit të makinave klasike me bazë në Kanada “RM Sotheby’s”, bëhet fjalë për një Mercedes-Benz 300 SLR “Uhlenhaut Coupe” i vitit 1955, i cili iu shit një koleksionisti privat dhe ishte një nga dy prototipat e prodhuara nga departamenti i garave Mercedes-Benz.

Makina u shit në një ankand në Gjermani më 5 maj.

Në njoftimin e kompanisë thuhet se automjeti i emëruar sipas krijuesit dhe inxhinierit kryesor Rudolf Uhlenhaut, shpesh shihet si “makina më e bukur në botë”, “një nga xhevahiret më të mëdha të historisë së automobilizmit” dhe “një nga shembujt më të mirë të inxhinierisë dhe dizajnit të automobilave” nga ekspertët dhe entuziastët e automobilave në mbarë botën.

Automjeti si bazë kishte makinën e suksesshme W 196 R Grand Prix që fitoi dy kampionate botërore e drejtuar nga Juan Manuel Fangio, shoferit legjendar argjentinas të makinave të garave që dominoi dekadën e parë të garave të Formula 1 duke fituar pesë herë Kampionatin Botëror gjatë viteve 1950.

300 SLR kishte motorin e tij të zmadhuar në 3.0 litra për garat e makinave sportive, i aftë të arrijë shpejtësi maksimale prej pothuajse 290 kilometra në orë, duke e bërë atë një nga makinat më të shpejta legale rrugore të epokës së saj.

Çmimi e bën atë makinën më të vlefshme të shitur ndonjëherë në një ankand, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 48,4 milionë dollarësh të paguar në 2018 për një Ferrari 250 GTO të vitit 1962 në një ankand RM Sotheby.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu