Mali i Zi rihap kufijtë me disa shtete në fillim të qershorit

Vendet e para me të cilat Mali i Zi do t’i rihapë kufijtë në fillim të qershorit, janë: Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia, tha të hënën kryeministri malazez, Dushko Markoviq.

Mali i Zi, si edhe shumica e vendeve në Evropë, i ka mbyllur kufijtë në mes të muajit mars, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Markoviq tha se shtetet e përmendura më lart i plotësojnë kushtet e duhura epidemiologjike të Institutit të Shëndetit Publik, përkatësisht kanë deri në 25 të infektuar në 100,000 banorë.

“Së paku edhe dy shtete të rajonit i plotësojnë kushtet, por situata ndryshon nga dita në ditë. Ka mundësi që t’i hapim kufijtë edhe me disa shtete të rajonit, por varet se si do të jetë situata kur urdhri të hyjë në fuqi”, tha Markoviq.

Të huajve që do të hyjnë në Mal të Zi, nuk do t’iu kërkohet testim i posaçëm, porse do t’iu jepen udhëzime të qarta që duhet t’i ndjekin gjatë qëndrimit në Mal të Zi.

Markoviq po ashtu tha se nga fillimi i javës së ardhshme synohet të rihapen edhe çerdhet e fëmijëve, si dhe të mundësohet që një numër i kufizuar i njerëzve t’i ndjekin ngjarjet sportive.

Mali i Zi, qysh të dielën – pas 68 ditësh nga shfaqja e rastit të parë me koronavirus – nuk ka asnjë person të sëmurë me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Qysh më 5 maj, ky vend nuk ka regjistruar asnjë rast të ri të infektimit.

“Ky është suksesi i shtetit dhe i secilit individ dhe një rezultat për të cilin mund të krenohemi, por që na detyron të vazhdojmë me përgjegjësi, në mënyrë që t’i adresojmë pasojat e krizës ekonomike. Mali i Zi është vendi i parë në Evropë që mposht virusin”, tha Markoviq.

Rastet e para me koronavirus në Mal të Zi janë shfaqur më 17 mars. Në total, 324 persona janë infektuar; prej tyre 315 janë shëruar dhe nëntë kanë vdekur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu