Edhe pas rivotimit të një dite më parë në Tearcë, rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit në Maqedoni, nuk kanë ndryshuar. Rezultatet përfundimtare janë zyrtarizuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbrëmjen e kaluar. Sipas tyre VMRO-DPMNE ka fituar 51 mandate, LSDM 49, BDI 10, Lëvizja BESA 5, Aleanca Për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2 mandate deputetësh.
Sipas kushtetutës së Maqedonisë, presidenti Gjorge Ivanov brenda 20 ditësh duhet të thërrasë fituesin e zgjedhjeve, Nikola Gruevskin, kreun e VMRO-së, për ta mandatuar për formimin e Qeverisë se re.
Por VMRO-DPMNE duhet të sigurojë 61 deputetë për formimin e Qeverisë. Ftesa e parë për bashkëpunim pritet ti drejtohet BDI-së, e cila ka siguruar 10 deputetë në parlament. Por pak ditë më parë, një pjesë e partive shqiptare u mblodhën në një tryezë ku ranë dakord për hartimin e një platforme kushtesh për të marrë pjesë në një qeveri europiane, siç tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndërkaq kanë filluar kalkulimet politike dhe matematikore, por të gjitha kanë si faktor të përbashkët partitë politike shqiptare.