Si thuajse çdo vit, gjatë kësaj jave u përsërit fenomeni i bllokimit të perimeve shqiptare nga shteti maqedonas. Në kufirin fqinj, me justifikimin e analizave fitosanitare, u bllokuan dy ngarkesa me një vlerë prej 25 mijë eurosh.
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, shprehet gjatë një interviste ekskluzive për Report Tv se veprimi i përsëritur është krejtësisht i papërgjegjshëm, pa baza, dhe për qëllime të dukshme proteksioniste.
“Diçka e papërgjegjshme është bllokazhi që po na bën Maqedonia. E maskuar në standardet fitosanitare është një masë haptazi proteksoniste“, u shpreh Panariti.
Ministri Panariti thotë se ai vetë dhe strukturat e shtetit shqiptar kanë ezauruar tashmë çdo përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët me palën maqedonase.
Në këtë mënyrë shtetit shqiptar i mbetet vetëm të përgjigjet me të njëjtën monedhë, pavarësisht se kjo është një zgjidhje aspak logjike në kontekstin evropian dhe të marrëveshjeve ku janë të përfshira dy vendet.
“Vetëm nga bllokimi i dy kamioneve ka humbje 25 mijë euro me një dërgesë. Imagjinoni çfarë dëmi i madh shkaktohet. Ndaj në këtë pikëpamje ne duhet të përgjigjemi. Nuk është normale kjo, por brenda një logjike dhe arsyetimi shoh një lloj apatie dhe amullie, gati-gati të një shteti disfunksional. Jam përpjekur me qindra herë duke kërkuar arsyetim. Analizat dolën të pastra dhe ndaj nuk ka asnjë lloj baze që të ulësh traun. Le të marrim masa simetrike dhe të ndalojmë edhe ne tranzitin e tyre, por nuk është kjo rruga europiane. Rruga europiane është rruga e arsyetimit, rruga e standardeve”, u shpreh Panariti.
Panariti thotë se tashmë shteti shqiptar ka hedhur hapa zyrtare në mënyrë që çdo rast bllokimi nga ana e Maqedonisë të merret në shqyrtim nga një strukturë evropiane, vendimi i së cilës të zbatohet nga të dyja palët.