Maqedonia dhe Kosova në luftë tregtare me njëra tjetrën

Dy ditë me radhë nga 100 tonë pemë dhe perime në tregun me shumicë të Shkupit mbetën të pablera meqë nuk u paraqitën tregtarët nga Kosova. Kjo është pasoja e doganës më të madhe për 30 për qind për 21 produkte bujqësore, të cilën e vendosi Qeveria e Kosovës, ndërsa hyri në fuqi prej sot.

Tregtar i produkteve bujqësore

„Situata me mallin është tejet dramatik. Ky mall që e shikoni këtu, ishte parashikuar të shkojë, tani do të hidhet i tëri. Kjo doganë prej 30 për qind të cilën e vendosi Kosova është goditje për ekonominë në tërësi. Jo vetëm për pjepër ose pjeshkë, për gjithçka, për rrush, për të gjithë artikujt e pemëve që duhet të shkojnë për Kosovë, nuk do të shkojnë. Qëkur është marrë vendimi në Kosovë sikur u ndal përnjëherë, sikur të jetë goditje, shumë keq. 90% mbetet nga tërësia që futet, 90% e mallit mbetet në treg, që duhet të eksportohet në Kosovë”

Importuesit e produkteve bujqësore nga Kosova për Alsat M shprehen se në kalimin doganor Bllacë është një kaos i vërtetë. Kamionët e ngarkuar me pemë dhe perime, tashmë më dy ditë nuk lejohen të hyjnë.

Importues nga Kosova

“Prej mbrëmë nga ora 3 e mesnatës, kamioni me pemë dhe perime qëndron në terminal. Në doganë na kërkojnë garanci bankare, nuk dinë si ta llogarisin doganën. Nuk dimë asgjë, nuk na tregojnë se kur do të na lëshojnë. Pemët dhe perimet mund të prishen nga qëndrimi i gjatë. Na thonë se brenda dy ditëve do të normalizohet gjendja. Kjo nuk është mirë, jo vetëm për ne importuesit, por edhe për qytetarët. Një kilogram lakër dje ishte 30 centë ndërsa sot është 70 centë. Vendimi patjetër të hiqet menjëherë”, shprehet Bekim Haliti, tregtar nga Kosova.

“Autoritetet tona urgjentisht të ndërmarrin diçka lidhur me këtë, duhet ta heqin apo të vendosin kundër- masa. Nëse tregu në Maqedoni nuk ka eksport jashtë vendit, do të ketë bllokadë totale. Jo vetëm për tregun tonë, por për vet bujqit do të jetë shumë keq – thotë një tregtar.

Për autoritetet e Maqedonisë, masa është e paqartë në aspektin juridiko- formal. Nuk ka numra tarifor të produkteve, për të cilat vlen vendimi. Ata shpresojnë që vendimi do të tërhiqet.

Do t’i informojmë CEFTA-, Organizatën Botërore të Tregtisë dhe BE-në për shkeljen e këtij vendimi dhe të gjitha marrëveshjeve dhe me këto shkresa që janë reagimi jonë i parë do të kërkojmë menjëherë të tërhiqet vendimi i tillë. Pres që vendimi të tërhiqet. Nuk e di për çfarë interesi është vendosur një gjë e tillë. Nëse kjo nuk ndodhë në afat sa më të shkurtër, ne do ta mbrojmë prodhimtarinë vendore – deklaroi Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, nga doganat mbrojtëse të Kosovës më së shumti kanë pësuar domatet, specat dhe kumbullat. Që nga fillimi i vitit janë eksportuar pemë dhe perime në vlerë prej 2.5 milionë euro. Maqedonia nuk importon prodhime bujqësore nga Kosova, por importon mbeturina nga legurat e çelikut, ujë, gypa dhe xehe nikeli./ALSAT-M


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu