Maqedonia e zhytur në borxhe

Me një vendim të Qeverisë së Maqedonisë për marrjen e një borxhi prej 60 milionë eurove, borxhi i përgjithshëm i Maqedonisë ka arritur në mbi 50 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, apo në rreth 4 miliardë e 760 milionë euro. Ky borxh është më i larti që nga pavarësia e Maqedonisë, 25 vjet më parë.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore dhe të Entit të Statistikave, çdo qytetar i Maqedonisë ka borxh prej 2.370 euro. Apo sipas një vlerësimi tjetër, gjatë tërë këtij vitit, qeveria ka marrë nga 2 milionë euro borxh në ditë.

Nga Ministria e Financave, thonë se borxhet kryesisht kanë të bëjnë me mbulimin e deficitit buxhetor, për investime kapitale dhe shlyerjen e detyrimeve tjera financiare. Por, të kundërtën e thonë ekspertët e çështjeve ekonomike.

“Problemi me borxhin e jashtëm qëndron në atë se pjesa më e madhe e parave që merren nuk kanë një destinacion të qartë të shpenzimit të tyre. Në fakt, tek njohësit e çështjeve ekonomike apo edhe tek opinioni në përgjithësi, krijohet përshtypja se borxhi merret për të mbuluar shpenzimet e mëparshme, apo të gjitha premtimet e qeverisë për rritjen e pensioneve, të asistencës sociale apo edhe të rritjes së pagave të punonjësve të administratës publike”.

“Kjo është shumë shqetësuese dhe mendojmë se ndodhemi në kufijtë e një krize ekonomike me pasoja të rënda”, thotë Marjan Petreski, profesor në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Shkupit.

Ndërkohë, Arben Halili, ekspert i ekonomisë dhe ish-drejtues i Odës ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore, thotë se gjendja është alarmante dhe se pasojat e borxhit më së shumti do t’i ndjejnë qytetarët.

“Rritja e borxhit publik definitvisht ka tejkaluar të gjitha mundësitë e ballafaqimit ose peshën që mund të bart buxheti i Maqedonisë dhe në këtë drejtim sigurisht që barrën që duhet ta bartin qytetarët do të jetë shumë e rëndë”.

“Vet fakti se çdo qytetar i Maqedonisë është i ngarkuar me një borxh publik prej 2 mijë eurove, dëshmon se Maqedonia po përballet me një gjendja alarmante e cila arrin të kamuflohet në mënyrë të jashtëzakonshme nga pushtetmbajtësit”, thotë Halili.

Sipas tij, gjendja e tillë është pasojë e investimeve të shumta jo produktive, përfshirë edhe ato në kuadër të projektit “Shkupi 2014”.

Ai thotë se sikur milionat e harxhuar për këtë projekt kundërthënës të investoheshin në infrastrukturë, sigurisht se gjendja do të ishte më e mirë.

Edhe profesori Marjan Petreski, thotë se sikur këto para të shfrytëzoheshin vërtetë për qëllime ekonomike, investime apo mbështetjen e biznesit me siguri se pasojat do të ishin shumë më të vogla.

“Askush nuk e konteston marrjen e borxhit për ndërtimin e rrugëve, apo për ngritjen e infrastrukturës në arsim, shëndetësi apo edhe në infrastrukturën informatike, e kështu me radhë. Pra, e gjithë kjo shihet si investim produktiv, por jo edhe destinimi i tyre për rritje pagash apo për qëllime tjera politike”, thotë Petreski.

Banka Botërore në raportin e fundit i kishte tërhequr vërejtjen qeverisë lidhur me politikën e borxheve.

Ajo nuk e ka paraqitur problem marrjen e borxheve, por destinimin e tyre. Ekspertët thotë se kthimi i borxheve do të jetë një proces shumë i vështirë, por që kjo të mund të arrihet duhet që menjëherë pas zgjedhjeve, cila do parti që të formoj qeverisë duhet urgjentisht të ndryshojë politikën e borxheve apo të heq dorë nga huamarrja joproduktive, pasi në të kundërtën pasojat do të jetë të mëdha për qytetarët e Maqedonisë./rel/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu