Në prag të 28 nëntorit, Shqipëria dhe Kosova kanë organizuar aktivitete të ndryshme kulturore e artistike, për të shënuar ditën më të madhe të Kombit Shqiptar.
Por, jo të pakëta janë edhe aktivitetet personale që shqiptarët ndërmarrin për nder të kësaj feste.
Kështu edhe maratonomaku, Erzen Zyberaj do të niset në një vrapim prej 260 Km, nga Sheshi Skenderbeu, në Prishtinë, ku do të niset këtë të hënë, për të arritur në Sheshin Skenderbeu Tiranë, më 28 nëntor.
Kjo është bërë e ditur nga disa postime në llogarinë e tij në Facebook, ku mbështetësit e tij i urojnë Erzenit shëndet në këtë sfidë.
I veshur me simbolet kuq e zi, në një deklaratë për mediat, ai ka treguar se përse e ka menduar këtë maratonë.
“E kam marrë këtë vendim për shumë arsye. Në të shkuarën populli shqiptar dhe Kosova gjithmonë kanë vuajtur. Kjo ka qenë ëndrra ime që këtë rrugë ta përshkojë me vështirësitë që kanë kaluar heronjtë tanë. Unë do nisem nga ora 10 dhe besoj se do arrij në Tiranë në orën 10 të të nesërmes”,-u shpeh Zyebraj.
Ai tha se kishte rreth tre vite që përgatitej për këtë sfidë ku synimi i tij është që me vrap të bëjë rrugën Prishtinë- Tiranë për 24 orë.