Nga: Kastriot Islami
Marrëveshja Thaçi-Rama-Vuçiç për “ndarjen e Kosovës” ndryshe nga çfarë deklarojnë autorët e saj, jo vetëm nuk do të sjellë qetësi e paqe, por do të sillte minimalisht pasiguri e destabilizim, në Kosovë, në Shqipëri, në rajon por edhe më gjërë.
Marrëveshja antieuropiane do të krijojë më shumë pasiguri te qytetarët në Kosovë, Shqipëri e në të gjithë vëndet fqinje përreth; madje rritja e tensioneve politike dhe etnike në vëndet e rajonit do të friksojë qytetarët e tyre me fantazmat e konfliktit e të luftës. Precedenti i kësaj marrëveshjeje do përbënte nxitje për aktivizimin e lëvizjejve nacionaliste në të gjithë vëndet e rajonit dhe një material inspirues për të gjithë liderat nacionalsitë që mezi po presin të shpërthejnë pasi marrëveshja të përfundojë. Ndërkohë që shqiptarët do të abandonoheshin nga vëndet europiane për shkak të mosmirënjohjes dhe pabesisë së lidershipit të tyre ndaj axhendave integruese të vëndeve të BE.
Marrëveshja e pagarantuar nga të gjithë aktorët globalë që kanë interesa apo kanë investuar në Kosovë, Shqipëri dhe të gjithë rajonin, mund të pasohej nga lëvizje nacionaliste të fuqimshme për krijimin e “shteteve të mëdha monoetnike” në rajon, duke e futur rajonin në një fazë përplasjesh e konfliktesh deri të armatosuara jo vetëm mes vëndeve të rajonit por edhe do ta kthente rajonin në një fushëbetejë për riballancimin e rikonfigurimin e interesave gjeopolitike.
Marrëveshja antiqytetare do të rriste në ekstrem numrin e qytetareve që kërkojnë të emigrojnë, nga Kosova, nga Shqipëria, por edhe nga vëndet e tjera të rajonit, kryesisht drejt vëndeve të BE. Dhe nëse ato do të pengoheshin me forcë të emigronin do të mund të shpërthenin revoltat..
Marrëveshja jo transprarente dhe thjesht për interesa personale të pushtetmbajtjes të autorëve të saj do të nxiste konfliktin dhe destabilitetin politik, ose duke i hapur rrugën forcimit të autoritarizmit, rritjes së korrupsionit dhe forcimit të lidhjeve të qeverisë me krimin e trafiqet ose do të çonte në revolta dhe përplasje të forta politike.
Marrëveshja e kundërshtuar fort nga vendet e BE, veçanërisht nga Gjermania, do ti mbyllte me shumë gjasa Kosovës rrugën e pavarësisë dhe të integrimit të BE e NATO, por edhe Shqipërisë pa asnjë dyshim do ti mbyllte përfundimisht derën e BE.
Marrëveshja antikushtetuese (në Kushtetutën e Kosovës janë mëshiruar 3 parimet e Paketës së Athisarit i) nuk ka kthim prapa të Kosovës në Serbi, ii) nuk ka ndarje të Kosovës dhe iii) nuk ka bashkim të Kosovës apo një pjesë të saj me asnjë nga vendet fqinje) do të hapte “kutinë e Pandorës” duke nxitur destabilizim nga jashtë në Kosovë, e ndoshta edhe konflikt të kufijtë e saj, deri në krijimin e zonave të konfliktit të ngrirë, për më tepër që faktori ndërkombëtar që ka mbështetur çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nuk ka qëndrim të unifikuar ndaj kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja hileqare dhe lëvizjet e hedhura tinëzisht në treg pas miratimit të saj eventual mund ta vendosnin Kosovën e Shqipërinë në konflikt me partnerët e saj strategjike që kanë kontribuar për krijimin e bashkëjetesës multietnike dhe integrimin euroatlantik e europian të vëndeve të rajonit por edhe me shumë nga vendet fqinje që e kanë kundërshtuar ashpërsisht këtë marrëveshje për shkak të trazirave që mund të krijoheshin në vëndet e tyre nga minoritetet etnike për shkak të këtij precedenti.
Marrëveshja e projektuar keq mund të shkaktonte edhe destabilitet e kolaps ekonomik sepse jo vetëm qytetarët e vendeve të rajonit do të tentonin të emigronin me shpejtësi drejt vendeve të BE por edhe shumica e investitorëve të fuqishëm financiarë e ekonomikë do të largoheshin nga frika e një konflikit të armatosur në rajon; pasojat më të rënda do të ishin mbi shqiptarët kudo ku jetojnë e punojnë në rajon.
Marrëveshja edhe sikur të stopohet tani do ti shkaktonte shumë kokëcarje Kosovës duke e frenuar minimalisht procesin e pavarësimit të saj, dhe sa më vonë të ndodhë ky stopim aq më të rënda do të ishin pasojat negative për Kosovën.
Syri.net/ 8 shkurt 2019
(*) Autori ka qenë Ministër i Jashtëm i Shqipërisë në periudhën 2003-2005 dhe Koordinatori Grupit të Menaxhimit të Krizës së krijuar nga dëbuarit nga Kosova në mars-shtator 1999.