Marrja e kompetencave të Arben Taravarit, e shëmtuar dhe pa shije

Nga: Doc.dr. Besa Dogani

Është tejet e pa shije dhe e shëmtuar ajo që ndodh me arsimin shqip në Gostivar. Vërtetë loja e marrjes së kompetencave të kryetarit të komunës së Gostivarit në arsim, vetëm për të plotësuar nevojat e sëmura të disa individëve të cilët nuk mund të pajtohen me fatin se “koha” e tyre ka perënduar është një luks i panevojshëm, sidomos në një periudhë kur arsimi shqip është i përmbysur me tekste që ofendojnë qenien shqiptare, kur mësimdhënëset si Arjeta Veliu përndiqen për vite me radhë për papërshtatshmëri politike, kur nxënësve të Velesit nuk u mundësohet të mësojnë në gjuhën amtare.

Luks i paparë është të lozet loja e kompetencave kur ministrat shqiptar të arsimit në dhjetëvjeçarin e fundit lejuan që shkollat shqipe të bëhen çerdhe për arsimtarët e pamerituar, lejuan që muret dhe çatitë e tyre të rrënohen, lejuan që nxënësit në vend të librave të bartin armë të ftohta.

Dashuria dhe kujdesi ndaj arsimit dëshmohet me rritjen e dotacioneve dhe donacioneve për arsim, me meremetimin e hapësirave të rrënuara mësimore, me sigurimin e librave cilësor, me krijimin e mundësive për pjesëmarrje më të madhe dhe gjithëpërfshirëse të faktorëve relevant dhe rritjen e cilësisë së komunikimit në relacion nxënës, mësues, prind, autoritete.

Kujdesi ndaj arsimit assesi nuk dëshmohet me marrjen e kompetencave në arsim të kryetarëve të komunave të zgjedhur nga vullneti i lirë i qytetarëve.

Ky veprim i ministrit/qeverisë nuk do të ketë asnjë efekt pozitiv por vetëm do të kontribuojë në fryrjen deri në pëlcitje të ndasisë në mes të kuadrit mësimor dhe pushtet-mbajtësve. Beteja e këtillë e ministrave partiak dhe popullit arsimdashës dëmton proceset, ngushton mundësitë për zhvillim normal të procesit mësimor, ndalon hapin e modernizimit dhe zhvillimit të shkollave shqipe.

Komunikimi i këtillë mbyll dyer e nuk hap shtigje, andaj larg duart nga prona e popullit, larg duart nga shkollat tona, nga fëmijët tanë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu