Gjykata Administrative sonte e përfundoi debatin për dy paditë e shtruara nga Koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja për vendimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për ankesat për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor.
Sot në dy seanca të ndara janë shqyrtuar padia e shtruar e Koalicionit të kryesuar nga LSDM-ja për URP.nr. 513/2016 për shfuqizimin e Vendimit të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve UP1. nr. 10-493 prej 17.12.2016, si dhe padia e shtruar prej Koalicionit të kryesuar nga LSDM URP.nr. 514/2016 për shfuqizimin e Vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve UP1.nr. 10-490 prej 17.12.2016.
Vendimet për paditë Gjykata Administrative duhet t’i sjellë më së voni 24 orë pas debatit për to dhe t’i publikojë në ueb faqen e saj. Vendimet e Gjykatës Administrative janë përfundimtare.
Këshilli i gjykatësve përbëhet prej Vesna Jovanovska, kryetare dhe anëtarët Burim Sejdini, Aneta Xhigerova, Gjoko Zhivkovski dhe Dragosllav Radiçevski.
Koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja shtroi katër padi deri te Gjykata Administrative, ndërsa një padi e shtroi VMRO-DPMNE. Pritet gjatë ditës së nesërme Gjykata Administrative t’i shqyrtojë edhe tre paditë e tjera.