Oda e Mjekëve në Maqedoni bën të ditur se nga 280 mjekë, të cilët gjatë vitit 2017 kanë dhënë provimin për licencën themelore për të ushtruar punën si mjek, 173 prej tyre kanë kërkuar që të largohen nga Maqedonia, për të ushtruar profesionin si mjek në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në Gjermani.
Nga Oda e Mjekëve thonë se këto të dhëna janë alarme, ngase me këtë dinamikë të largimit të mjekëve nga vendi, për shtatë vjet Maqedonia do të përballet me probleme serioze sa i përket kuadrit mjekësor, shkruan REL.
“Nga analizat tona del se shkaqet që çojnë në largimin e mjekëve nga Maqedonia, janë të shumta. Fillimisht, si më problematike do të fokusoja mosrespektimin e profesionit mjek. Pagat janë jashtëzakonisht të ulëta krahasuar me vitet e shkollimit dhe mundin që e japin derisa specializohen në një lëmi të caktuar. Njëherësh, në largimin e mjekëve nga vendi ndikojnë dhe trysnitë që bën politika dhe strukturat e ndryshme shtetërore në punën e mjekëve”.
“Të gjitha këto elemente bëjnë që mjekët e rinj të mos ndihen aspak rehat në ushtrimin e profesionit të tyre , të mos shohin perspektivë sa i përket avancimit të tyre në aspektin profesional dhe fatin e tyre ta kërkojnë diku jashtë Maqedonisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ylber Besimi, nënkryetar i Odës së Mjekëve të Maqedonisë.
Ndërkaq, kryetarja e Shoqatës së mjekëve, të cilët punojnë në sektorin privat, Lilija Çollakova, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konsideron se nevojiten reforma thelbësore sa i përket pagesës së mjekëve veçanërisht në mjekësinë primare ngase pagat janë shumë jomotivuese për mjekët e rinj.
Spitali në Bitolë (Foto nga arkivi)
Spitali në Manastir (Foto nga arkivi)
“Me çdo kusht duhet të krijohen kushte që mjekët e rinj të mbeten në Maqedoni, të ndërpritet ky largim masiv i kuadrit mjekësor në çdo pjesë të Maqedonisë.
Përderisa një mjeku, për t’i përfunduar studimet i nevojiten gjashtë vite dhe një vit stazh për t’u pajisur me licencë pune, në anën tjetër paga fillestare në disa konkurse të ordinancave private shohim se është vetëm 250 euro, kjo është skandaloze”, shprehet Çollakova.
Lidhur me këtë ministri i Shëndetësisë në Maqedoni, Venko Filipçe, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ditë më parë ka theksuar se institucioni që drejton, është duke bërë përpjekje maksimale që t’i rrisë pagat e mjekëve dhe personelit mjekësor.
Nga dikasteri i shëndetësisë, kanë bërë të ditur se si fillim planifikohet që pagat e mjekëve të rriten për 5 për qind, ndërkohë që me rebalancin e buxhetit planifikohet të rriten dhe pagesat për kujdestari për të gjithë personelin mjekësor.
Ministri Filipçe ka thënë se pagat e ulëta nuk janë arsyeja e vetme që bën të largohen mjekët nga Maqedonia. Sipas tij, problematikë më vete është edhe funksionimi i sistemit në shëndetësi për të cilin tha se bëhen përpjekje maksimale që të përmirësohet.
Ai ka paralajmëruar se për rikualifikimin e kuadrit mjekësor, do të angazhohen mjekë profesionistë nga vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian.
Por, nga Oda e Mjekëve thonë se mjekët nga Maqedonia me dijen e fituar gjatë shkollimit arrijnë të jenë konkurrues në tregun evropian, mirëpo, sipas tyre, problem paraqet sistemi shëndetësor, i cili është jofunksional dhe i njëjti, për çdo problem fajëson mjekët.
“Kolegët tanë, mjekët e rinj nga Maqonia janë konkurrent në tregun e punës në vendet e BE-së , përkatësisht në Gjermani aty ku është fluksi më i madh i imputit të mjekëve nga e gjithë bota, ata gjejnë vendin e tyre atje. Kjo tregon se ata kanë një përgatitje të mirë në aspektin profesional që i bën konkurrues në tregun evropian, përderisa të njëjtëve nuk u jepet mundësia që të avancohen në aspektin profesional“, thotë Ylber Besimi.
Ai nënvizon se tanimë, Oda e Mjekëve i ka propozuar dikasterit të shëndetësisë dhe komisionit përkatës parlamentar një draftligj për mjekët, në të cilin me saktësi definohen të gjitha të drejtat dhe obligimet, e mjekëve dhe pacientëve.
Largimi i mjekëve nga Maqedonia ka bërë që mosha mesatare e mjekëve në Maqedoninë perëndimore të jetë 57 vjet, kurse në Maqedoninë lindore mosha mesatare e mjekëve është 60 vjeç, që del se mjekët janë vetëm dy ose katër vjet para pensionimit.
Mjekët specialistë në institucionet terciare në Maqedoni marrin rreth 30 mijë denarë përkatësisht 500 euro rrogë. Përderisa mjekët specialistë gjatë një kujdestarie prej 24 orësh marrin maksimum 1 mijë denarë, përkatësisht rreth 15 euro.