Dibra ka disa stinë shpirtërore. Verës i rikthehet gjallëria. Një Dibër e largët kthehet në Dibër. Dimrit bëhet e heshtur, e harruar. Një Dibër është larguar nga Dibra. Ka një Dibër që ka ikur përgjithmonë nga Dibra. Ka një Dibër që asnjëherë nuk e ka parë Dibrën, por e di se aty i kanë lindur të parët. Dibra e mërguar është më e madhe se sa Dibra e këtushme. Këtë mund ta ndjesh duke parë shtëpitë apo apartamentet ku nuk ndizen dritat gjatë natës. Në disa prej tyre dritat nuk ndizen asnjëherë.
Dibra e ka të madhe madhështinë. Është Dibra e kujtesës historike, e kulturës së njohur qytetare, reflektuese në gjithë gjeografinë shqiptare. Po kjo është Dibra e së kaluarës, jo e sotmes. Sot kemi një Dibër të harruar. Pasi nuk kishin arritur ta shkatërronin edhe me ushtri, e luftuan ndryshe: duke e harruar. “Qytetin më të rëndësishëm në Arnautllëk” e tkurrën.
Ka katunde që përmenden rrallë nëpër kronikat apo udhëpërshkrimet e moçme, por sot janë qytete të mëdha. Ka qytete të lavdishme, por sot kanë mbetur nën gërmadha, ku arkeologët kërkojnë artefakte të një qytetërimi të humbur. Dibrës, për të cilën janë shkruar shumë libra në gjuhë pushtuesish, sepse emri i saj i madh, nami i saj, kanë qenë reflektues, i ka ndodhur e kundërta: ajo është tkurrur vazhdimisht. Por Dibra është e madhe dhe ka forcën për ta shkelmuar harresën.
Dibra ka diçka që nuk e hasim në shumë qytete të mëdha. Në këtë qytet kemi publikun më të mirë teatror, mbase në mbarë hapësirën shqiptare. “Si ka mundësi?”, mund të pyesim veten. Nuk ka asgjë për t’u çuditur. Publiku i këtillë nuk është krijuar brenda natës. E ka krijuar kultura qytetare, tradita, që nuk i mungon asaj. Mos harrojmë: kjo Dibër dikur iluminonte pjesët tjera shqiptare.
Pesëmbëdhjetë vjet rresht këtu mbahet festivali prestigjioz i teatrove shqiptare. E organizon me pasion prej të krisuri, me dashuri të pashoqe, Ylber Nuredini, për të cilin, aktori dhe regjisori nga Stambolli, Orhan Kurtuglu, thotë se është “mjaft zengjin”. Njeriu që sot është i papunë vërtet është i pasur. Ai do të kujtohet kur shumë “zengjinë” të tjerë do të harrohen ose do të kujtohen ndryshe nga çfarë i lartëson mendja servile e të tashmes mizore.
Ministria e Kulturës së Maqedonisë bën “sikur” e përkrah, ndonëse, pas një tradite 15 vjeçare, do të duhej të ishte institucionalizuar dhe me financa të garantuara vjetore, si disa festivale të tjera. Festivali nuk është përkrahur as nga institucionet e Kosovës apo Shqipërisë. Janë larg. Miliona kilometra larg. Janë larguar principatat tona që pandehin se janë qendrat e botës. Mjeranët e politikës nuk mendojnë për kulturë. Injoranca e ka frikë kulturën. Ajo aty e nxjerr revolen.
Në Dibër, falë këtij festivali, janë luajtur kryevepra të dramaturgjisë, gatuar prej mendjeve më gjeniale të artit skenik. Dibrën, falë këtij festivali, e kanë vizituar emrat më të njohur të aktrimit, regjisë apo dramaturgjisë shqiptare. Në këtë festival janë provuar gëzimet e zhgënjimet e pjesëmarrësve. Kanë shpërthyer edhe komplekset e madhështisë, të njohura për komunitetin artistik. Kanë lindur ide dhe më pas janë realizuar projekte të përbashkëta artistike, falë komunikimit kulturor brendashqiptar, përtej institucional e shtetëror. Falë këtij festivali janë lidhur miqësi të mëdha aktorësh e regjisorësh visesh të ndryshme shqiptare. Nëse do të kishte festival me “impakt faktor”, pa dyshim, ky do të ishte njëri prej tyre.
Aktori dhe regjisori Ylber Nuredini meriton, së paku, një mirënjohje, një dekoratë apo një titull nderi për kontributin e dhënë për artin skenik dhe për krijimin e urave për komunikim kulturor brendashqiptar. Nuk ka ekzagjerim. Jam i bindur se këtë nismë do ta përkrahnin pothuajse të gjithë pjesëtarët e komunitetit artistik. Por kjo nuk ka për të ndodhur në kohën tonë. Injoranca e ka frikë kulturën. Por kultura do të mbetet kur shumëçka të jetë harruar. Do të kujtohen ata që e mbajnë gjallë këtë festival, ata që e ndihmojnë me aq sa kanë mundësi. Disa gjëra nuk blihen me para. Duhet një tjetër pasuri, ashtu sikurse e koncepton edhe aktori e regjisori Orhan Kurtudlu, i cili sot mund të udhëtojë kudo nëpër botë falë pasaportës speciale të shtetit turk. Është ambasadori i pa emëruar. Më thoni se cili aktor, regjisor, dramaturg, shkrimtar, përkthyes, piktor, shkencëtar i këtyre viseve e ka një pasaportë të këtillë? Kanë ata që darka u kushton sa rroga vjetore e aktorit. Kanë ata që e nxijnë imazhin tonë kudo ku shkojnë. Aktori i ngratë mezi arrin të mbijetojë me një rrogë modeste. I duhet të angazhohet në projekte të kota për të nxjerrë ndonjë honorar ose duhet që të provojë ndonjë punë tjetër, e cila ja shterr energjitë krijuese. Teatrot tona mezi arrijnë të mbijetojnë. Bëhen shfaqje me pak aktorë, pothuajse pa dekor. Do të thotë dikush: po pse shteti do të na mbajë teatrin? Po, them. Kudo në botën e qytetëruar, së paku institucionet publike, mbahen nga taksapaguesit.
Teatri, megjithatë, do të ekzistojë. Ka provuar sfida më të vështira. Do të ekzistojë për shkak të atyre që e duan, që e kanë mënyrë jetese, për shkak të shikuesve. Do të vazhdojë që të na zbulojë përmasa të tjera ekzistenciale. Jeton ai me mijëra vjet, sepse për të janë bërë shumë flijime. Do të vdesin vetëm teoritë që parashikojnë vdekjen e teatrit.