Me 1 shtator nis viti i ri shkollor i cili do te zgjasë deri me 17 qershor. Risi ne këtë vit shkollor është pushimi pranveror për shkollat fillore dhe të mesme, nga 29 prilli deri më 5 maj. Një risi tjetër, sipas Ministrit të Arsimit, Jeton Shaqirit, është edhe hapja e paraleles së dytë në gjuhën shqipe në Gjimnazin “Koço Racin” në Veles.
“Arsimi i mesëm është i obligueshëm dhe i detyrueshëm, në qofte se komuna e Velesit komunë më të afërt për arsim në gjuhën shqipe e ka qytetin e Shkupit, në qoftë se kryetari i komunës, obligimet brenda menaxhimit të pushtetit lokal merr dhe siguron transport ditorë për këto nxënës që të realizojnë të drejtën e arsimit në vendin më të afërt nuk ka asnjë problem për ministrinë, ndërsa paralelet do të shpërndahen në bazë të numrit të nxënësve 22 në dy paralele ashtu siç është edhe në gjuhën maqedonase ku ka në konkurs pesë paralele dhe numri i nxënësve është më i ulet në bazë të kriterit ligjor” – tha Jeton Shaqiri.
Lidhur me librat shkollor, Ministri Shaqiri, përsëriti se pjesa më e madhe e librave që janë miratuar për arsimin fillor, si dhe librat e rinj për klasën e tretë, tashmë janë dërguar nëpër shkolla. Pjesa tjetër, kryesisht librat e rinj për klasën e gjashtë, do të dorëzohen kur të miratohen nga Komisioni. Ndërkohë, nxënësit do të shërbehen me materiale ndihmëse, që janë të kapshëm në ueb-faqen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.
“Më lejoni që të them se shumica e teksteve shkollore për arsimin fillor që janë miratuar në vitet e kaluara si dhe pjesë prej tyre të reja për klasën e tretë janë përgatitur në përputhje me programet e reja mësimore tani më janë dorëzuar në shkolla dhe apelojmë deri tek udhëheqësit e shkollave që ditën e parë të shkollës tua shpërndajnë shkollave” – deklaroi Shaqiri.
Ministri Shaqiri, bëri thirrje që sindikatat të gjejnë mekanizma tjera dhe të mos i implikojnë nxënësit në politikat ditore. Sipas tij, si rezultat i diskutimeve me sindikatat, së shpejti do të ketë rritje të re të pagave përmes marrëveshjes kolektive, por edhe harmonizimi me pagën minimale.
Sa i përket infrastrukturës nëpër shkolla, Ministri Shaqiri, gjithashtu informoi se gjatë pushimit të verës kanë intervenuar në përmirësimin e kushteve mësimore në 56 objekte shkollore për të cilat tha se janë investuar 4.5 milionë euro.