Analisti politik dhe shkrimtari nga Maqedonia, Kim Mehmeti ka komentuar raportimet mediatike për mundësin e një koalicioni qeveritar midis LSDM-së dhe BDI-së. Ai thotë se BDI me këtë rast do shkel mbi parimin e deridjeshëm të saj për koalicionim midis dy blloqeve fituese në bllokun politik shqiptar dhe atë maqedonas.
Sipas tij, kësaj radhe, BDI-ja nuk do i përmbahet parimit të deridjeshëm – ‘fitues me fitues’, e që nuk e lejonte të shkelë mbi vullnetin e popullit maqedonas, por mbi atë ‘humbësi me humbësin’, që të mundëson ta nxjerrësh maskën e të shihet se ke vetëm një parim – të shkelësh mbi çdo gjë, vetëm për të ardhur në pushtet.
Mehmeti thotë se edhe deri në zgjedhjet e ardhme parlamentare, do harxhohet koha shqiptare, me çka qeveritarët shqiptarë do na gënjejnë me makijazhet ligjore dhe me postet e larta shtetërore, që do marrin shqiptarët.
“Zhurma mediatike do jetë edhe më e madhe, me qëllim që të mbulohen veprimet joparimore të subjekteve politike shqiptare, përfshi edhe Aleancën për Shqiptarët, që në të vërtet, gjithmonë ka qenë në aleancë me ata që drejtuesve të saj u kanë premtuar mbijetesë politike”, shkruan Mehmeti./Gazeta Express/