Gazetari Blendi Fevziu ka komentuar vendimin e Hashim Thaçit për t’u dorëhequr nga posti i presidentit pas konfirmimit të aktakuzës nga Haga. Fevziu thotë se UÇK dhe shqiptarët s’kanë pasur kurrë një platformë të organizuar për kime kundër njerëzimit dhe se në këto 20 vite gjykatat ndërkombëtare kanë gjetur përgjegjësi individuale, por asnjëherë një platformë kolektive kiminale të saj. Ndaj sipas gazetarit, Hashim Thaçi po akuzohet se në ditën më të vështirë të vendit të tij zgjodhi ti bashkohet UÇK – së dhe të marrë përgjegjësi politike në të.
“Unë kam bindjen, dhe besoj se këtu bashkohen edhe shumica e shqiptarëve, se UÇK dhe shqiptarët s’kanë pasur kurrë një platformë të organizuar për kime kundër njerëzimit. Kundër civilëve të çdo etnie qofshin ata. Në këto 20 vite gjykata të ndryshme ndërkombëtare kanë gjetur përgjegjësi individuale, por asnjëherë një platformë kolektive kiminale të UÇK – së. Besoj dhe shpresoj që edhe këtë herë do të jetë e njëjtë.
Hashim Thaçi nuk po akuzohet as si President i Kosovës, as si ish Kryeministër, as si politikan i mirë apo i keq. Hashim Thaçi po akuzohet se në ditën më të vështirë të vendit të tij zgjodhi ti bashkohet UÇK – së dhe të marrë përgjegjësi politike në të. Zgjodhi të luftojë dhe jo të nënshtrohet. Zgjodhi të ishte fitimtar dhe jo humbës i përjetshëm”, shkruan Fevziu.