Pasi vizitoi së fundmi Maldivet, gazetarja e të përditshmes britanike “Metro”, Alice Murphy udhëtoi nëpër Shqipëri. Teksa ndan mbresat që i ka lënë ky udhëtim përgjatë bregdetit shqiptar, ajo e krahason Sarandën me një copëz të parajsës.
Bregdeti jugor i Shqipërisë krenohet me pamjen e ngjashme të oqeanit blu të ndritshëm, shprehet ajo, teksa flet edhe për periudhën më të përshtatshme, bazuar në këshillat e ekspertëve, për të vizituar vendin tonë.
Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është në fund të Pranverës, Prill dhe Maj dhe në fillim të Vjeshtës, Shtator dhe Tetor. Moti është i ngrohtë dhe i këndshëm, por pa turma vizitorësh krahasuar me pikun e sezonit të verës, thuhet në këtë artikull.
Në këtë artikull, Shqipëria konsiderohet një parajsë e përballueshme.
Shqipëria ka atraksione të shumta turistike. Ishte emocionuese të eksploroje muzetë dhe baret e modës së Tiranës, dhe padyshim e këndshme të qëndroje në shtretër kabane përgjatë Rivierës Shqiptare, shprehet gazetarja e “Metro”.
Ajo që i ka bërë përshtypje një tjetër eksperteje udhëtimesh është tejmbushja e plazheve në Durrës, por edhe në Sarandë dhe Ksamil.
Pasojat e viteve të turizmit masiv tronditën Evropën këtë verë, pasi protestat antituriste mbushën rrugët e qyteteve kryesore spanjolle dhe demonstratat i detyruan anijet turistike të ndryshonin kursin.
Por, ndërsa shumë destinacione po tërhiqen nga turizmi, Shqipëria po ecën drejt një zhvillimi turistik me shpejtësi, thuhet në artikull.
Është e qartë se bumi i fundit i turizmit i ka dhënë Shqipërisë mundësi të jashtëzakonshme, por dhe sfida shqetësuese, citon gazetarja britanike.
Sipas britanikes “Metro”, Shqipëria ofron diçka vërtet unike, ndaj do të ishte gabim i madh nëse do të shkatërrohej për hir të urisë turistike, që mund t’i çonte turistët e saj diku tjetër aq shpejt sa edhe mbërritën.