Zv/kryeministri i parë i qeverisë, Izet Mexhiti thotë se me ardhjen e qeverisë së re, mund të kthehen të gjithë ata që janë larguar.
“Me qeverisjen tonë ata që u larguan, sot mund të kthehen!
Ishte kënaqësi e veçantë të takoja kirurgun e shquar, Dr. Refet Murtezani, një emër që ndriçon në botën e mjekësisë. I lindur në Saraj të Shkupit, Dr. Murtezani u detyrua të kërkojë horizonte të reja larg vendlindjes, duke ndërtuar një karrierë të shkëlqyer në Turqi.
Dhjetë vite më parë, ai kishte ëndërruar të shërbente në spitalet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, të shpëtonte jetë në tokën ku u rrit. Përkundër dëshirës së madhe, politika e atëhershme ia kishte mbyllur dyert Dr. Murtezanit, duke ia mohuar jo vetëm një mundësi, por edhe të drejtën për t’i dhënë diçka vendit të tij.
Sot, me përvojën dhe ekspertizën e fituar në një nga sistemet shëndetësore më të avancuara, Dr. Murtezani është i gatshëm të rikthehet. Jo për famë, jo për përfitim, por për t’i shërbyer popullit të tij. Për të ndarë me kolegët njohuritë e tij, për të sjellë një frymë të re në shëndetësinë tonë dhe për të siguruar që çdo pacient të ketë kujdesin që meriton.
Ky është vizioni ynë: të kthejmë profesionistët në vendin e tyre. T’i hapim dyert atyre që dikur u përjashtuan padrejtësisht. Të ndërtojmë një sistem ku talenti dhe përkushtimi shpërblehen e nuk pengohen. Dhe mbi të gjitha, të rikthejmë besimin se ky vend mund të jetë shtëpia e secilit që dëshiron të kontribuojë për të mirën e përbashkët.”, është shprehur Mexhiti.