Kjo ishte darka e fundit gala për çiftin Obama në Shtëpinë e Bardhë. Sigurisht që në këtë darkë ishte Michelle, ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Ajo ka qenë gjithmonë plot stil, në të gjitha daljet si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara dhe për darkën e fundit, bashkëshortja e Presidentit ka zgjedhur fustanin më mahnitës që e kemi parë ndonjëherë të veshë.
Barack Obama kishte premtruar se po ruante më të mirën për në fund, e përsa i përket Michelle, ai e mbajti premtimin. Çifti Obama në këtë darkë kishte të ftuar kryeministrin Italian Matteo Renzi dhe bashkëshorten e tij, por edhe shumë personazhe të terë italianë nga bota e modës, politikës, ekonomisë dhe medies. Në Shtëpinë e Bardhë ishte e ftuar edhe këngëtarja e njohur Gwen Stefani, që interpretoi hit-e të ndryshme pas fjalimeve të mbajtura.
Për t’iu rikthyer protagonistes së mbrëmjes, Michelle, vlen të theksohet se fustani maksi që kishte zgjedhur në ngjyrën rose-gold ishte nga shtëpia e modës Atelier Versace. Ky fustan u dizejnua pikërisht për Michelle dhe për këtë darkë. Look-un e saj me flokë të lëshuar e plotësonin një palë vëthë të varuar në ngjyrën e fustanit.