Një qytetar nga Manastiri është më i pasuri në vend, ndërkaq një strugani i është paguar rroga më e lartë. Milioneri më i ri në vend ka vetëm gjashtë vjet, ndërsa më i moshuari 101 vjeç, tregojnë të dhënat e Drejtorisë për të ardhura publike.
Drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska sot në konferencë për shtyp kumtoi se edhe pse shkupjanët dominojnë në listë me të ardhura më të larta, megjithatë në vendin e pare është një qytetar nga Manastiri me të ardhura të realizuara vjetore prej 211 milionë e 360 mijë e 619 denarëve. Në vend të dytë është shkupjanja me bruto të ardhura vjetore prej 172 milionë e 166 mijë e 358 denarëve.
“Krahasuar me vitin 2018 kur të ardhurat më të larta të realizuara ishin një miliardë e 56 milionë e 922 mijë e 55 denarë ka zvogëlim të dukshëm, kështu që i ranguari i pare në vitin 2019, sikur të gjendej në listen e vitit 2018 do të kishte qenë i ranguari I dytë“, tha Llukarevska.
Strugani, të cilit I është paguar rroga më e lartë, ka punuar në industrinë e metaleve, i cili kishte paraqitur bruto të ardhura vjetore prej 1,9 milionë eurove. Në listen e bruto rrogave të ranguara më lartë janë edhe rrogat e paguara në sektorin e shëndetësisë, barnatore, arsim dhe prodhimtari të veshjeve të sipërme.
Të ardhurat më të larta personale në baza të tjera paraqesin 48 milionë e 511 mijë e 454 denarë në nivel vjetor për shërbime të kryera përkohësisht ndaj një kompanie ndërtimore.
Të ardhura më të mëdha nga fitimi kapital ka realizuar një shkupjan i cili i ka shitur aksione të veta një kompanie të huaj dhe më pas ka fituar 88 milionë e 352 mijë e 113 denarë, ndërsa dividend më i lartë i është paguar një qytetari të Manastirit, i cili është pronar i një biznesi nga fusha e ndërtimtarisë.
Veprimtaritë e pavarura janë më fitimprurëset për shkupjanët dhe në 10 të ranguarit më mirë ndodhen avokatë, përmbarues dhe hotelierë. Bujqësia është më fitimprurëse në Rajonin e Shkupit, ku një qytetar nga shitja e prodhimeve të veta bujqësore ka realizuar të ardhura prej 32 milionë e 345 mijë e 815 denarëve. Të ardhurat më të larta nga qiraja janë realizuar në Tetovë, ndërsa të ardhurat më të larta nga të drejtat autoriale në Shkup. Të ardhurat më të larta nga të drejtat e pronësisë industriale janë realizuar në Kumanovë.
Sipas të dhënave të DAP-it, një shkupjane nga loja në Loto dhe pjesëmarrja në lojëra shpërblyese ka fituar 29 milionë e 293 mijë 930 denarë, ndërsa pensionisti i parë i ranguar është një qytetar nga Shtipi me bruto pension prej 8 milionë e 64 mijë denarëve.
Sipas drejtoreshës së DAP-it, edhe pse numrat e përgjithshëm janë rritur, megjithatë në nivel individual shuma e të ardhurave tek qytetarët e ranguar më lartë nuk i ka arritur shumat e të ardhurave në vitin 2018.
Tek 35.363 qytetarë janë konstatuar të ardhura bruto mbi një million denarë, përderisa numri më i madh i qytetarëve, përkatësisht 638.210 realizuan bruto të ardhura që sillen prej 100 mijë deri një milion denarë.
Në vitin 2019 gjashtë qytetarë realizuan të ardhura mbi 100 milionë denarë, që paraqet ulje në krahasim me vitin 2018, kur ka pasur 31 qytetarë të tillë. Gjithsej 426 qytetarë realizuan të ardhura prej 10 deri 100 milionë denarë. /TV21