Ministria e Drejtësisë nuk ka propozuar ligj për Gjykatën Kushtetuese, sipas tyre ajo nuk është e partizuar

Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, shprehet se ekziston nevojë reale për miratimin ligjit të posaçëm për Gjykatën Kushtetuese, megjithatë, përpos gatishmërisë nuk ka përgjigje konkrete nëse po shqyrtojnë mundësinë e propozimit të një ligji të tillë. Gjithashtu, sipas kësaj Ministrie, Gjykata Kushtetuese nuk është institucion i partizuar dhe Ministria e Drejtësisë nuk ka nevojë apo kompetenca të bëjë departizimin e saj.

Në fakt, përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë nuk ishte tjetër, veç një deklaratë e ministrit të Drejtësisë dhënë në prill të këtij viti, ku ndër të tjera kishte theksuar se Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar për përmirësimin e statusit të Gjykatës Kushtetuese në shoqërinë tonë dhe është i mendimit se ekziston nevoja reale për miratimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

“Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar për përmirësimin e statusit të Gjykatës Kushtetuese në shoqërinë tonë dhe është në qëndrimin se ekziston nevojë reale për miratimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ku detajisht do të rregullohet statusi, pozita, të drejtat dhe detyrimet e gjyqtarëve dhe statusit të tyre material. Nevojën për miratimin e një ligji të posaçëm e tregon edhe Raporti përfundimtar i misionit të ekspertëve të TAIEH për vitin 2018, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga Gjykata Kushtetuese, ku thuhet se ka arsye plotësisht të justifikuara për miratimin e një ligji të posaçëm për Gjykatën Kushtetuese në të cilën ndër të tjera do të mbulohen shtesat dhe të ardhurat e tjera personale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Portalb.mk.

Mariçiq ndërkohë, lidhur me çështjen e ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese mbi një ligj të posaçëm, kishte deklaruar se nëse nuk ka vullnet politik, mund të zgjidhej përmes një ligji tjetër.

“Në rast të mungesës së vullnetit politik për miratimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, çështja e pagave, shtesave, shtesave në paga dhe tarifave mund të zgjidhet duke miratuar ligj të ri për pagat në sektorin gjyqësor, i cili do t’i referohet pagave të gjyqtarëve kushtetues, gjyqtarëve të rregullt, prokurorëve publikë, si dhe çështjes së statusit të zyrtarëve në Gjykatën Kushtetuese, gjykatat e rregullta dhe prokuroritë”, ka deklaruar paraprakisht Mariçiq.

Nevojën e këtij ligji e ka përmendur edhe kryetarja aktuale e Gjykatës kushtetuese Dobrilla Kacarska, gjatë një takimi të zhvilluar në qershor me ambasadoren gjermane njoftoi ambasadorin për problemet aktuale me të cilat ballafaqohet Gjykata Kushtetuese, për plotësimin e vendeve vakante të gjyqtarëve kushtetues, rritjen e ambienteve të punës së Gjykatës, nevojën urgjente për miratimin e Ligjit të posaçëm për Gjykatën Kushtetuese me të cilin do të arrihet pavarësia e plotë financiare dhe administrative e Gjykatës, duke ngritur statusin e gjyqtarëve kushtetues, si dhe statusin e shërbimit profesional të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, edhe ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati, në prill të këtij viti tha se të gjithë gjyqtarët janë të vetëdijshëm për parakushtet që duhen plotësuar për pavarësinë dhe autonominë e plotë të Gjykatës, por edhe për të përmirësuar punën e vetë institucionit.

“Të gjithë gjyqtarët janë të vetëdijshëm për parakushtet që duhen plotësuar për pavarësinë dhe autonominë e plotë të Gjykatës, por edhe për të përmirësuar punën e vetë institucionit, për të cilin janë bërë analizat tona të gjera dhe janë përgatitur zgjidhjet e duhura normative, duke përfshirë ndryshimet në Rregulloren e punës, por dhe projektvendimet ligjore të dorëzuara te përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv. Sigurisht, rruga deri në fund është e gjatë dhe plot pengesa. Por ajo që është e rëndësishme është që problemet të dihen, qëllimet që duhen arritur”, pati deklaruar Murati.

Ai theksoi se është e nevojshme të sigurohet pavarësia funksionale, buxhetore dhe administrative e Gjykatës Kushtetuese, pa të cilën, siç tha ai, nuk mund të flitet për pavarësi objektive.

Ndërkohë për shkak të bllokadës së deritanishme në Parlament, Gjykatës Kushtetuese ka mungesë të tre anëtarëve, e cila numëron nëntë gjyqtarë.

Me projekt-buchetin e ri, shumica qeverisëse ka rritur paratë për Gjykatën Kushtetuese, për zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj kushtetues, por se kur do të bëhet zgjedhja e tyre akoma nuk dihet.

Ndryshe, reformat dhe ligjet e tilla, të cilat rrisin pavarësinë e institucioneve të vendit janë pjesë e reformave në fushën e drejtësisë të cilat duhet të përmbushen me qëllim që vendi të jetë sa më afër legjislacionit të BE-së, që do të ndikojë pastaj para dhe gjatë hapjes së kapitujve pas fillimit të negociatave me BE-në.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu