Ministrja e Jashtme gjermane “paralajmëron” Izraelin e Turqinë: Mos ndërhyni në Siri!

Gjermania kërkon tranzicion paqësor në Siri dhe ruajtje të integritetit territorial të saj.

Teksa e bëri të qartë në Berlin qëndrimin e qeverisë, ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock njoftoi se Gjermania do të ofrojë 8 milionë euro (8.4 milionë dollarë) ndihmë humanitare shtesë për vendin e përfshirë nga kaosi.

“Po shohim një moment shprese, megjithatë situata mund të jetë gjithçka tjetër, vetëm e qëndrueshme jo. Nuk duhet të lejojmë që procesi i dialogut të brendshëm sirian të sabotohet nga jashtë. Fqinjët, si qeveritë turke dhe izraelite, të cilat po shprehin interesat e tyre të sigurisë, nuk duhet të rrezikojnë procesin.”

Shqetësim madhor për Gjermaninë mbeten refugjatët sirianë; Baerbock u shpreh se kthimi i tyre duhet koordinuar me partnerët në Evropë dhe Kombet e Bashkuara, duke shtuar se një proces i tillë duhet të jetë i mirëplanifikuar dhe i sigurt.

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Gjermanisë dhe Sirisë janë ndërprerë që nga viti 2012, kur ambasada gjermane në Damask u mbyll për shkak të përshkallëzimit të luftës civile dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut nga regjimi i Asadit. Që atëherë, kontaktet diplomatike janë kryer përmes ambasadës në Liban, me kufizime të mëdha.

Tani, me një qeveri të re në Siri, nuk përjashtohet mundësia e një rihapjeje të ambasadës dhe vendosjes së dialogut të drejtpërdrejtë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu