Mirela Sula: I lava me lot rrugët e Tiranës. Jam ndeshur me doktorë të akullt kur humba vajzën time…

Mirela Sula është një psikologe e njohur, e cila prej vitesh jeton në Londër, e njohur më së shumti si “Migrant Woman”. Psikologia, e cila më herët ka marrë dhe çmimin “Gruaja frymëzuese 2015”, para shumë vitesh ka humbur vajzën e saj dhe këtë ngjarje të dhimbshme të jetës ajo e ka rrëfyer në një intervistë për  “The Albanian.co” këtë muaj.

Intervista e saj është risjellë në vëmendjen e mediave pikërisht në një ditë si kjo e sotmja ku një nënë shtatzënë dhe fëmija i saj kanë humbur jetën në spital.

Sot Mirela është ndikuar nga ky lajm, i cili ka tronditur të gjithë opinionin publik, jo vetëm për historinë, por dhe për faktin se sot mbushen plot 19 vite që vajza e saj Elvana është ndarë nga jeta.

“Sot mbushen plot 19 vite që ime bijë, Elvana, është ndarë nga jeta. E dije këtë apo është rastësi universi? Unë e quaj synchronicity”.

Sot dëgjova gjithashtu që një nënë është ndarë nga jeta bashkë me foshnjën e saj. Më godasin si rrufe këto lajme! Kush e ka fajin? Këtë pyetje e kam drejtuar edhe unë sa herë korridoreve të spitalit teksa ndeshesha me doktorë të akullt. Por tani them, e ç’rëndësi ka? Do të më kthehet më Elvana? Duhet ta pranojmë që jeta na përball me sfida pa fund, por askush nuk do të na e japë dorën nëse ne vetë nuk bëjmë përpjekje dhe të ecim përpara duke e përmirësuar karmën tonë. Siç është tani, bota nuk është e drejtë në asnjë cep të saj, por ta kërkojmë drejtësinë është e drejta jonë, edhe pse zor do ta gjejmë atë.  Thank you!”- shkruan Mirela në Facebook.

Për të gjithë ata që nuk e njohin plotësisht historinë e Mirela Sulës, ja çfarë ka rrëfyer ajo në këtë intervistë:

“Karriera ime ka nisur si mësuese fshati në një shkollë të vogël me rreth 30 fëmijë (klasa ime kishte rreth 10 nxënës) në periferi të Pukës.  Më duhej të ngjisja kodrën rreth një orë më këmbë për të shkuar në punë apo për të dalë në qytet, por në atë kohë isha e re dhe plot ëndrra, ndaj dhe më dukej sikur udhëtimi im sapo kishte filluar drejt një destinacioni që nuk e dija, por e ndieja se do të ishte pjesë e qëllimit tim në jetë.

Më pas u ngrita në detyrë, u bëra mësuese qyteti (qesh), u transferova si mësuese në shkollën 8-vjeçare Migjeni në Pukë dhe në të njëjtën kohë fillova të aktivizohesha me projekte të ndryshme të grave. Pas një fare kohe solla në jetë një fëmijë të sëmurë, ndaj m’u desh të shkëputesha nga puna dhe nga shkolla që të kujdesesha për të. Në përpëlitjet e dhimbjes për ta mbajtur gjallë mbaj mend veten duke ecur në rrugët e Tiranës për herë të parë. Teksa i laja me lot ato rrugë duke u munduar të përballoja klithmat e sime bije në spital e pyesja veten: Çfarë do të ndodhë me jetën time? Jam vetëm 22 vjeçe dhe më duket vetja si e humbur në këtë botë që duket krejt e huaj për mua.

Për herë të parë eksplorova Tiranën dhe shihja që shoqet e mia shkonin në shkollë apo ndiqnin ëndrrat e tyre, ndërsa unë dergjesha në spital e zhytur në depresion me time bijë vetëm 7 muajshe. E kush mund t’i kuptonte ankthet e një gruaje të re fshati si unë! Fundja, kush isha unë? Askush, një nuse fshati që duhej të fshija çdo ditë oborrin, të piqja bukën në furrë, të prisja berret kur vinin nga mali, të milja lopën, të laja rrobat me dorë dhe për këtë duhej të ndizja një zjarr të madh përjashta, të vija një  kazan të madh me ujë të ngrohtë teksa ngrija së ftohti në borë. Ja, kështu ka nisur udhëtimi im. Kur humba edhe time bijë, e cila nuk ia doli dot të jetonte, thashë se udhëtimi mbaroi, kaq ishte. Por pasi luftova me depresionin, që askush nuk donte t’ia dinte (duke e shtypur veten të mos merrja ilaçe) m’u desh të ngrihesha në këmbë, sepse një fëmijë tjetër do të vinte në jetën time dhe unë duhej të jetoja për të. Dhe jo vetëm të jetoja, por të fuqizoja veten që t’i jepja atij një fëmijëri të lumtur dhe jo si e imja.

Vetëm pas një viti, kur në  jetë kishte ardhur im bir, bëra gati valixhen dhe u nisa për një jetë të re në Tiranë. Një udhëtim që nisi për të më hapur shumë shtigje të tjera”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu