Mirënjohja, kjo ndjenjë e harruar

Që nga fillimi i krijimit të njeriut është rrahur çështja e mirënjohjes dhe e falënderimit ndaj Allahut. Pasi refuzoi t’i përulej Ademit a.s., djalli tha: “Mandej do t’iu sillem atyre para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh prej atyre që të falënderojnë (të besojnë).” (Kur’an, 7:17)

Kjo deklaratë nga më i keqi i gënjeshtarëve doli e vërtetë. Për fat të keq, edhe ne myslimanët kemi rënë në kurthin e djallit, dhe mes ecejakeve pa fund, shumë rrallë na del koha të mendojmë për të mirat e Allahut dhe për ta falënderuar Atë me lavdet që i takojnë. Jemi kaq të zënë saqë harrojmë se kush e ka fuqinë dhe kush na mban e na mbështet. Kjo nuk është rruga e duhur, pasi Allahu na thotë: “Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), që Unë t’ju kujtoj juve (me shpërblim). Më falënderoni e mos më mohoni.” (Kur’an, 2:152)

Problemi me të cilin përballet shumica jonë sot është sindroma “Sikur unë”. Sikur unë të kisha një grua më të mirë, do të isha mirënjohës. Sikur të kisha pasur djem në vend të vajzave, do të kisha qenë mirënjohës. Sikur të kisha një shtëpi më të madhe, një makinë më të mirë, ca para më shumë, një punë më të përshtatshme… dhe lista bëhet e gjatë varg. Ne rrimë syngulur paprerë në gjërat që nuk i kemi, në vend që t’i jemi mirënjohës Allahut për mirësitë që na ka dhënë.

Kjo është një sëmundje shumë serioze, për të cilën Profeti a.s. na ka dhënë ilaçin e duhur. Ai na këshillon që lidhur me gjërat e kësaj bote të shohim gjithnjë ata poshtë nesh, ata më pak fatlumët, pasi kjo do të na bëjë gjithnjë falënderues e mirënjohës.

Allahu thotë se te Profeti a.s. do të gjejmë gjithnjë shembullin më të përkryer. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur është fjala se si duhet të jetë një njeri mirënjohës ndaj Allahut.

Tregohet nga Al-Mugira se Profeti a.s. qëndronte në namaz dhe e vazhdonte faljen derisa i fryheshin këmbët.

Kur e pyetën se përse vepronte kështu, ai tha: “A nuk duhet të jem një rob mirënjohës?” (Buhariu)

Mënyra më e mirë për të qenë falënderues ndaj Allahut është mbajtja parasysh e të mirave që na dhurohen çdo ditë. Në Kur’an thuhet: “…Edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.” (Kur’an, 14:34)

Kjo deklaratë është një e vërtetë e madhe, megjithatë ne e çmojmë pak. Fakti që u ngritëm nga shtrati këtë mëngjes, që mundëm të falemi, që hëngrëm mëngjes, që kemi rroba për t’u veshur, ujë për t’u larë, shtëpi që na mbron nga shiu, era apo dielli, që gëzojmë shëndet, familje, etj., janë të gjitha të mira që vijnë prej Allahut.

Asnjë prej tyre s’duhet marrë si e mirëqenë, apo akoma më keq, të bëhemi arrogantë e të pretendojmë se i fituam vetë me përpjekjet tona.

Falënderimi çliron zemrën nga smira, xhelozia e zilia. Kur i jemi mirënjohës Allahut, mendja dhe zemra jonë janë plot me Emrin e Mëshirën e Tij, që paprerë na dhuron. Kjo na ul kryet dhe na përmirëson karakterin.

Fakti që Allahu na ka drejtuar për tek Islami, në thelb, është një arsye për lavde të vazhdueshme. Allahu thotë: “Ne e udhëzuam atë (njeriun) në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës.” (Kur’an, 76:3)

Allahu përmend në Librin e Shenjtë se vetëm pak nga robërit e Tij e falënderojnë. Le të përpiqemi të jemi mes këtyre të paktëve duke mbajtur gjuhën të lagur dhe zemrat të ngrohta me përkujtimin e Tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu