Presidenti i zgjedhur në SHBA, Donald Trump, dha të parën intervistë të gjatë televizive për rrjetin CBS.
Për emisionin “60 Minuta”, Trump konfirmoi qëllimet e tij për të ndërtuar një mur në kufirin me Meksikën, edhe pse tha se ai mund të jetë thjesht një gardh në disa vende.
Trump u angazhua për të deportuar 3 milionë emigrantë të paligjshëm, që kanë rekorde kriminale.
Deklarata që ndoshta shkaktoi më shumë debat, ishte ajo për abortin.
Trump tha se është pro-jetës dhe deklaroi se disa femra duhet të udhëtojnë në shtete të tjera për të abortuar.
Ai tha se do caktojë në Gjykatën Supreme njerëz që janë pro-jetës.
Sa i përket martesave mes të njëjtit seks, Trump tha se kjo çështje është zgjidhur nga Gjykata Supreme.
Ai tha se është ‘ok’ me vendimin që ligji për martesat mes të njëjtës gjini të mbetet në fuqi.
Trump iu shmang pyetjes nëse do caktojë një prokuror të posaçëm për të hetuar rivalen e tij, Hillary Clinton për çështjen e emaileve.
Ai tha se nuk do të lëndojë familjen Clinton, duke i quajtur ata njerëz të mirë.
Trump deklaroi se do të heqë dorë nga paga e presidentit, duke marrë vetëm 1 dollar në vit.
Presidenti amerikan paguhet 400 mijë dollarë në vit.
Ndërkohë Trump ka nisur të bëjë emërimet e para.
Reince Priebus, kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan do të jetë shef i shtabit.
Kurse Stephen Bannon, i agjencisë së lajmeve Breitbart, do jetë strategu kryesor i Trump.
Bannon hoqi dorë nga agjencia Breitbart, një faqe lajmesh online konservatore, e akuzuar për misogjeni dhe ksenofobi, për të shërbyer si shef i fushatës së Trump.
Duke folur gjatë intervistës, Trump iu drejtua amerikanëve: “Mos kini frikë”.