MPJ në mbrojtje të gjeneral Kastratit dhe Albin Kurtit, kërkon maturi nga partitë maqedonase

MPJ kërkon sqarim nga Ambasadori maqedonas në Prishtinë për atë që e ka cilësuar si gjuhë tendencioze në fushatën parazgjedhore në raport me Kosovën dhe personalitete të saj.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës sot ka kërkuar sqarim nga Ambasadori i Maqedonisë në Prishtinë për zhvillimet e dy ditëve të fundit në shtetin fqinj, ku për qëllime ditore të fushatës parazgjedhore atje po apostrofohen personalitete nga Kosova dhe emri i shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të MPJ-së.

Në kërkimin e sqarimit për Ambasadorin nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të MPJ-së, Albert Prenkaj është shtruar nevoja që të ketë zyrtarisht një përgjigje nga shteti i Maqedonisë përkitazi me një gjuhë aspak demokratike që nuk i shërben ruajtjes dhe kultivimit të marrëdhënieve shumë të mira miqësore mes Kosovës dhe Maqedonisë.

“MPJ kërkon nga partitë politike maqedonase, dhe politikanët në pushtet ta shmangin Kosovën dhe personalitetet e saj nga fjalori i përditshëm i fushatës parazgjedhore dhe që të ruajnë edhe më tej frymën e mirë të bashkëpunimit si dy shtete fqinje”, thuhet në njoftim.

Deri tek reagimi i MPJ-së vjen pas deklaratave nacionaliste të deputetëve të VMRO-DPMNE në Parlamentin e Maqedonisë dhe mediave maqedonase ku janë apostrofuar emrat e Gjeneralit Kadri Kastrati dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu