Ministria e Punëve dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka reaguar ndaj informacionit të fundit, ku thuhet se Micotakis i Greqisë e ka njoftuar Këshillin Europian se krerët e RMV-së nuk respektojnë Marrëveshjen e Prespës, transmeton TV21.
Në reagimin e MPTJ-së së Maqedonisë së Veriut thuhet se në tërësi respektohen obligimet e ndërmarra nga marrëveshjet ndërkombëtare, nënshkruese e të cilave është Republika e Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe ato nga Marrëveshja e Prespës.
“Por përkujtojmë se zbatimi i saj është obligim edhe për dy palët”, thonë nga MPTJ-ja.
Më tej në reagim thuhet:
“Njëherit e riafirmojmë gatishmërinë për shfrytëzim të të gjitha mundësive që ofron Marrëveshja e Prespës për fuqizim të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Në tërësi mbetemi të përkushtuar për realizimin e procesit integrues europian nëpërmjet rrumbullakimit dhe përmirësimit të reformave të filluara për anëtarësim në BE, si prioritet i jashtëm – politik i yni”./TV21