Mrekulli në Francë: 4 vjeçari bie nga kati 16 dhe shpëton pa asnjë dëmtim

Një ngjarje e jashtëzakonshme ka ndodhur në Francë, ku një fëmijë 4-vjeçar ka shpëtuar pa asnjë dëmtim serioz pasi ra nga kati i 16-të i një ndërtese, që është një lartësi prej 43 metrash.

Fëmija, i quajtur Enzo, ra nga një ndërtesë në Aubervilliers, në periferi të Parisit. Sipas mediave vendase, Enzo mbeti praktikisht i padëmtuar, përveç një gërvishtjeje të vogël në këmbë.

“Unë nuk isha besimtare, por tani jam,” tha nëna e fëmijës për gazetën franceze Le Parisien, duke shprehur habinë dhe mirënjohjen e saj për shpëtimin e djalit.

Ngjarja ndodhi më 26 maj, kur Enzo, i cili është në spektrin autik, u mbyll aksidentalisht në dhomën e tij dhe filloi të bërtiste. Prindërit e tij u përpoqën të hapnin derën me forcë, por në panik, Enzo arriti të ngjitej në dritare dhe ra.

Me të mbërritur në vendngjarje, babai i Enzos e gjeti djalin ende të ndërgjegjshëm dhe pa asnjë shenjë gjaku. Enzo u dërgua menjëherë në spital, ku qëndroi në terapi intensive për pesë ditë për shkak të disa hemorragjive në veshkat dhe mushkëritë, të cilat u trajtuan me sukses.

“Mjeku i terapisë intensive më tha se nuk kishte parë kurrë diçka të tillë,” shpjegoi nëna e Enzos, duke theksuar mrekullinë e këtij shpëtimi.

Sot, Enzo është në gjendje të mirë dhe nuk ka pësuar asnjë pasojë fizike apo psikologjike nga aksidenti, sigurojnë prindërit e tij. Sipas Le Parisien, dy faktorë mund të kenë kontribuar në këtë përfundim të lumtur: vendi ku ra dhe mosha e tij e mitur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu