Murtezani: BESA do t’i çlirojë shqiptarët nga kthetrat e BDI-së dhe VMRO-së

Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të Lëvizjes BESA, Orhan Murtezani që njihet edhe si aktivist i dalluar i shoqërisë civile në Maqedoni në një intervistë për portalin Sakte.net ka theksuar se inkuadrimi i tij në Lëvizjen BESA ka ardhur si rezultat i përkeqësimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

“Edhe pse nuk e kam menduar ndonjëherë që do angazhohem në politikë, mirëpo duke e vërejtur se autoktonia e shqiptarëve në Maqedoni po fshihet dhe mbulohet në mënyrë permanente, duke e parë që Shkupi po de-shqiptarizohet çdo ditë e më shumë dhe po ndryshohet identiteti i tij si një qytet shqiptar, duke e parë që varfëria e popullatës shqiptare është thelluar shumë, duke e parë emigrimin masiv të shqiptarëve drejt shteteve te Evropës Perëndimore, nëpërkëmbja dhe diskriminimi i vazhdueshëm që na bëhet desh nga pushteti, desh nga pala maqedonase desh nga partia shqiptare në pushtet, duke e parë se shqiptarëve në Maqedoni u është bërë e pamundur të ekzistojnë qoftë si qenie politike qoftë si qenie ekonomike dhe shumë e shumë fakte tjera, gjendesh para një realiteti të hidhur që të obligon moralisht të angazhohesh për të kontribuar në luftën kundër të keqes e cila e ka emrin VMRO-BDI”, ka deklaruar Murtezani, i cili shpreh bindjen se thuajse të gjitha partitë e deritanishme shqiptare që kanë qenë pjesë e pushtetit në njëfarë mënyre kanë kontribuar që të vazhdojë të ekzistojë ky sistem i cili etninë maqedonase e bën superiore në relacion me shtetin dhe i jep ekskluzivitet për ta drejtuar shtetin dhe për të vendosur për të ardhmen e tij, pra një shtet monoetnik.

Murtezani ka potencuar se në Lëvizjen BESA janë angazhuar kryesisht pjesa më vitale e shoqërisë, rinia shqiptare.

“BESA para se të jetë parti është një ide, është një ideal, është një frymë e cila të ngërthen në vete, është një angazhim i cili e tejkalon personalen, është një ëndërr që autoktonia e shqiptarëve të Maqedonisë të reflektohet në çdo institucion dhe pore të jetës shoqërore, është një koncept për ta rikthyer krenarinë kombëtare, është një koncept që në thelbin e sajë e ka ruajtjen familjes shqiptare e cila ka qenë bërthama që e ka mundësuar ruajtjen e identitetit tonë. Andaj, rrethanat në të cilat gjendemi na obligojnë kësaj t’ia japim një dimension tjetër dhe kyçjen në BESË e bëjnë obligimin më të madh kombëtar për momentin”, ka deklaruar zëdhënësi i shtabit zgjedhor në Lëvizjen BESA, Orhan Murtezani.

Ai shprehet i bindur se BESA mbetet i vemi opsion politik shqiptar në Maqedoni që do ta mposhtë BDI – në.

“Po ta analizojmë skenën politike shqiptare në Maqedoni para dhe pas paraqitjes së Lëvizjes BESA, lehtësisht mund të vërejmë që BESA gradualisht po e ndryshon dhe determinon skenën politike duke e ngritur standardin e politikës dhe personave që merren me politikë, duke sjellë një energji dhe dinamikë të re, duke sjellë kuadro të ri dhe profesional, duke ia hapur dyert të rinjve, duke sjellë vizon zë qartë për të ardhmen e këtij vendi, duke e sjellë në skenë modelin e një politikani të përgjegjshëm, njerëzorë e me vlera. Nëse ne si Lëvizje BESA kemi arritur ta ndryshojmë skenën politikë, mendoj që as që diskutohet që rezultati i zgjedhjeve të 11 dhjetorit do të jetë shumë më ndryshe se zgjedhjet e kaluara. Nëse kësaj ia shtojmë edhe personalitetet e shumta që këto ditë po i bashkëngjiten Lëvizjes BESA, unë mendoj se kjo nuk le më asnjë dyshim që ne jemi opsioni fitues i cili këtë popull do ta shpëtojë nga kthetrat e BDI-së dhe VMRO-së”, ka thënë Murtezani./Sakte.net


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu