Në moshë të re u nda nga jeta Erkan Alili-Kunka nga fshati Likovë, një nga luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Tanushën e Karadakut të Shkupit.
Erkani i lindur më 18.07.1978 ndërroi jetë dje pas një infarkti, derisa po transportohej për në spitalin e Kumanovës.
Ai ishte një ndër ushtarët e parë që e përkrahu dhe iu bashkëngjit UÇK- së, grupit të Tanushës, që ishin të stacionuar në fshatrat Tanushë dhe Malinë, gjatë vitit 2001. Bashkëluftëtarët e tij e njohin edhe si një nga përgjegjësit për transportin dhe furnizimin me armë të fshatrave të komunës së Likovës, gjatë luftës, informon INA.
Erkan Alili rrjedh nga një familje atdhetare, babai i tij Qani Alili ishte mësues i dalluar i fshatit, i gatuar mirë atdhetarisht prej të cilit u edukua dhe u frymëzua edhe Erkani. 38 vjeçari që jetonte në kushte jo edhe të mira, la pas tre fëmijë të moshës së mitur.