Numri i viktimave nga tragjedia në Koçan ka shkuar në 61, përcjell TV21. Ka ndërruar jetë Aleksandar Gavrillovski, pacienti që ishte në gjendje kritike, e që po mjekohej në Lituani. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se Gavrrillovski ishte njëri nga katër pacientët që ishte në gjendje kritike.
“Ka lindur më 7 mars të vitit 1996, dmth 29-vjeçar dhe ky është tashmë pacienti i dytë që ndërroi jetë, prej 193 pacientëve të cilët i trajtonim në vend dhe jashtë shtetit. Ka pasur djegie në trup në sipërfaqe prej 35%, me djegie të shkallës së tretë, ishte vështirë shumë, situatën e kishte, një prej pacientëve më kritikë, prej 4 prill rritet sasia e oksigjenit në 40%, mandej prej 6 prillit, dje 100%. Ishte nën hemodializë, fatkeqësisht sot, para disa orëve, në ora 11, tash e mora lajmin, edhe pacienti i dytë ndërroi jetë. Unë shfrytëzoj rastin t’i shpreh ngushëllime familjes”, tha ministri Taravari.
Ministri Taravari tha se 66 të lënduar nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan, po vazhdojnë trajtimin mjekësor jashtë vendit, ndërsa 10 pacientë po kurohen në vendin tonë.
Kujtojmë se të premten, ndërroi jetë menaxheri i diskotekës, Aleksandar Karadakoski, i cili ishte gjithashtu në mesin e katër pacientëve në gjendje kritike. Në rrezik, vazhdojnë të mbesin edhe dy të lënduar që po trajtohen jashtë vendit./tv21.tv