Zhvendosja e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Izraelit në “Elbasan Arena” nuk e kanë larguar frikën, të paktën te izraelitët.
Prestigjozja “Haaretz” bën të ditur se rreziku vazhdon të jetë i lartë në këtë sfidë dhe për këtë i referohet raportit të Shkollës për forcën mbrojtëse dhe kundër terrorit, LOTAR.
“Në javët e fundit, personat e arrestuar dhe të tjerë të lidhur me ta planifikonin të kryenin sulme terroriste kundrejt një sërë objektivash në Ballkan, siç janë ndeshjet e futbollit, përfshirë atë mes Shqipërisë dhe Izraelit më 12 nëntor. Pavarësisht arrestimeve dhe vlerësimit të situatës, mbetet ende një rrezik domethënës”, shkruan gazeta izraelite.
Duke iu referuar raportit, “Haaretz” thekson se situata paraqet rrezik të lartë dhe alarmi është në nivelin 2, çka i rekomandon shtetasve izraelitëve të mos udhëtojnë drejt Shqipërisë për të ndjekur në stadium këtë ndeshje.
Mbi këtë situatë janë vënë në dijeni edhe personat përgjegjës të kombëtares izraelite, që gjatë qëndrimit në Shqipëri do të shoqërohen nën masa të rrepta sigurie, dhe me një numër agjentësh tre herë më të madh se zakonisht, shkruan gazeta izraelite. Për këtë arsye edhe lojtarët do t’i nënshtrohen një regjimi të rrepte sigurie.